Dy ditë protestë te zyra e Veliajt, konflikti i ndërtuesve rrezikon të lërë pa shtëpi 120 familje
Banorët e zonës së ish-parkut të autobusëve në Tiranë protestuan për të dytën ditë radhazi para zyrës së Erion Veliajt ku kërkuan zgjidhjen e ngërçit të krijuar mes ndërtuesve të licensuar nga bashkia që ai drejton dhe çlirimin e pronësisë së apartamenteve të tyre. Përpara bashkisë së Tiranës ata kërkuan për afro 1 orë takim me Veliajn, më kot pasi kryebashkiaku nuk e shikon të arsyeshme zgjidhjen e këtij problemi.
Banorët në rrugën “Ndre Mjeda” në atë që njihet si zona e ish Parkut të Autobusëve kanë protestuar edhe këtë të martë përpara bashkisë së Tiranës.
Ata kërkojnë që ky institucion të zgjidhë problemin e tyre të shkaktuar nga konflikti mes dy bashkëpronarëve.
Thonë se prej kohësh janë duke pritur një përgjigje nga Bashkia, por askush nuk u përgjigjet.
Janë rreth 120 familje të cilat nuk arrijnë të futen në apartamentet e tyre, megjithëse ndërtimi i pallatit ka mbaruar.