“Nuk ka një që të presi topin te harku “ Patushi kritikon ashpër Vllazninë
Saimir Patushi ka kritikuar ashpër Vllazninë për atë barazim të ardhur në sekondat e fundit të lojës.
Ish-futbollisti i Tiranës është shprehur në emisionin “Ora Sport“,në “RTV ORA”, se kuqeblutë nuk duhet të ankohen për ndërhyrjen e VAR-it në ato fragmente të fundit të lojës, por të gjejnë gabimin te mënyra se si janë rreshtuar.
Patushi e konsideron një vetëvrasje të Vllaznisë.
“Gabimin nuk duhet ta gjejë te VAR-i në minutën e 98 Vllaznia. Gabimin duhet ta gjejë në fillim te vetja. Unë nuk e imagjinoj dot, minuta e 98, rreshtimin e ekipit të Vllaznisë. Nuk ka një që të presi topin te harku. Ata janë 8 apo 9 uniforma të bardha atje, nga Vllaznia janë 11. Unë e kam pasur vetë trajner Josën dhe e kam me bindje që e ka lënë një që ta presi atë top. Si ka mundësi që asnjëri nuk reagon dhe të gjithë futen te 15-shi te portieri? Atëherë pretendojnë që VAR-i ta kthejë. Është për të ardhur keq. Ata i humbin vetë pikët. Nuk është se tani VAR-i po i rëndon. Vllaznia është vetëvrarë”, tha ai.
