Vetëm Fran Frrokaj në qeli, të dënuarit për tjetërsimin e “Ranës së Hedhun” në arrati
Ish-kryebashkiaku demokrat i Lezhës Fran Frrokaj është i vetmi i dënuar për Tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun që shkoi për të vuajtur dënimin e formës së prerë prej 3 vitesh heqje lirie dhënë nga Apeli i Shkodrës. Zyrtarët dhe përfituesit e skemës po ashtu të dënuar, në arrati dhe policia e Lezhës nuk po arrin të ekzekutojë vendimet.
Vetëm ish kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj ndodhet në qeli pas vendimit të Gjykatës së Apelit Shkodër që e gjeti fajtor dhe e dënoi për tjetërsimin e tokave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, bashkë me 16 zyrtarë e qytetarë.
Ish drejtuesi vendor demokrat vetëdorëzua mbrëmjen e së premtes në Polici për të nisur vuajtjen e dënimit të formës së prerë me 3 vite heqje lirie në Burgun e Reçit në Malësi të Madhe.
11 të tjerë mes të cilëve edhe ish kryetari i Qarkut Gjok Ndoka, të dënuar me 1 deri në 3 vite burg mbetën të lirë.
Ndërsa 5 persona, mes të cilëve edhe ish nënkryetari i Bashkisë Lezhës, Enver Hafizi u shpallën fajtorë për akuzat por u dënuan me shërbim prove ose liri me kusht
Policia e Lezhës ka nisur një operacion për zbatimin e vendimeve dhe vënien në pranga të të dënuarve, por deri më tani pa rezultat.
Dyshimet janë se personat e dënuar me burg për tjetërsimin e tokave në Shëngjin mund të kenë shfrytëzuar kohën e gjykimit në gjendje të lirë dhe mund të jenë larguar nga Shqipëria!
Ndaj në vijim, pritet që ata që nuk do të gjenden, do të shpallen në kërkim ndërkombëtar.
Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte.
22 funksionarë lokalë dhe përfitues, u vunë në pranga por akuza u konfirmua për 18 prej tyre, nga të cilët vetëm një u shpall i pafajshëm pas 5 viteve proces.
Ish kryebashkiaku demokrat i Lezhës, Fran Frrokaj dhe ish kryetari i Qarkut Gjok Ndoka janë marrë të pandehur edhe nga SPAK në kuadër të një hetimi për tjetërsimin e 66 000 m2 tokë në disa zona bregdetare në Lezhë, me një vlerë prej rreth 13 milion euro.

