Pedagogët vijojnë protestën, PD thirrje qytetarëve: Të gjithë në protestë!

Pedagogët do të vijojnë bojkotin e mësimit edhe këtë javë. Të hënën është thirrur protesta e radhës kombëtare teksa kreu i demokratëve u ka bërë thirrje qytetarëve të behën pjesë e saj.

Edhe kjo javë e tretë e vitit të ri akademik i gjen pedagogët dhe studentët jo në auditore, por në rrugë duke kërkuar të drejtat e tyre.

Të hënën është thirrur protesta e radhës e pedagogëve të cilët i qëndrojnë kauzës së tyre.

Ministria e arsimit ka ngritur një grup pune për të shqyrtuar kërkesat e tyre, por palët prej javësh ende nuk kanë gjetur dakordësi mes tyre për rritjen e pagës me 50% në dy vite dhe rritje të buxhetit për kërkim shkencor, çështje të cilat pedagogët i konsiderojnë të pangociueshme.  

E nëse nuk u plotësohen këto kushte, greva është një tjetër alternativë që kanë paralajmëruar.

Partia Demokratike ka marrë përsipër të lobojë për këtë protestë që në javën e parë të saj.

“Departamenti i Arsimit të Lartë pranë Partisë Demokratike, mbështet Lëvizjen universitare që synon rritjen e cilësisë së mësimdhënies, që shkon drejtpërdrejt në dobi të studentëve. Ndaj i bëjmë thirrje të gjithë stafeve universitare, pedagogë e studentë, stafe ndihmës akademike e administrativë në mbarë vendin, që nesër më 31 tetor, në  orën 11:00 të jemi të gjithë bashkë në protestën kombëtare tek Korpusi Qendror i Universitetit Politeknik të Tiranës për t`i kërkuar me ngulm qeverisë të angazhohet seriozisht në plotësimin e kërkesave të lëvizjes universitare, pjesës më elitare të shoqërisë sonë.”

Më herët gjatë së dielës edhe kreu i demokratëve Sali Berisha bëri thirrje përmes rrjeteve sociale që të mbështetet nga çdokush kjo protestë.