“Plani” 24, 26 dhe 27 vjeç arrestohen për prodhim dhe shitje droge
Tre të rinj janë arrestuar në kuadër të një operacioni koduar "Plani" pasi akuzohen për prodhim dhe shitje droge.
Dy prej tyre D. K., 26 vjeç dhe E. Gj. 24 vjeç, u kapën pasi gjatë kontrollit të banesave, u janë gjetur rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe peshore elektronike.
Për dy shtetasit “vijonte hetimi disajavor proaktiv, si bashkëpunëtorë me njëri-tjetrin, në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve” informoi Policia e Lezhës.
Ndërkohë në Laç u kap në flagrancë edhe shtetasi K. M., 27 vjeç, banues në Vlorë, të cilit gjatë kontrollit fizik i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis sativa, rreth 85 gramë.
Arrestimi i tyre u krye nga forcat Shqiponja dhe ndaj tyre rëndon akuza "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
