Humbi gruan nga kanceri, me 27 mijë lekë në muaj 51-vjeçari nuk mban dot dy frymë gjallë
Shkëlqim Karaj, i cili humbi bashkëshorten nga kanceri apelon për ndihmë pasi të ardhurat që merr nga shteti janë të pamjaftueshme. Me 27 mijë lekë në muaj, i duhet të ushqehet së bashku me djalin. Me kaq pak para nuk siguron dot asgjë.
Në sytë e Shkëlqimit drita është zbehur. Prej tre vitesh, që pas humbjes së bashkëshortes, jeta për të u kthye në mision pothuajse të pamundur. Kanceri, është nga ato sëmundje që të rrënon financiarisht e ta merr edhe njeriun me të dashur që përpiqesh ta shpëtosh duke dhënë gjithçka.
"Kam luftuar me të, nuk ia dola dot. Ka tre vjet që është në dhe," thotë ai.
51 vjeçari tregon betejën me sëmundjen.
"Dikur i thoja: Mirandë, a ke ndonjë siklet? Jo, më thonte. Moj a ke ndonjë siklet se unë të shoh ty që rënkon. Nuk kam gjë, thonte," shprehet ai.
Ato kohë ishin të vështira jo vetëm për Mirandën, por dhe për Shkëlqimin.
"Prit, prit, prit. E mori sëmundja e iku," thotë ai.
Thotë se Miranda po e ndjente se po ikte nga kjo botë.
"E bëra operacion, kaloi 5-6 muaj dhe ajo filloi të qante. Më tha: O Çim, unë do të vdes. I thash që ti do të bëhesh mirë," thotë ai.
Por tek ai shpresa u shua, kur këtë ia konfirmoi mjeku.
"Doktori më tha se nuk kishte se çfarë ti bënte më. Unë filloja të qaja. E solla në shtëpi…" thotë ai mes lotësh.
Me humbjen e bashkëshortes, Shkëlqimi thotë se donte të kërkonte ndihmë nga media, por në celularin e tij nuk kishte lekë për të kryer thirrje.
"E para unë të kam kërkuar, se unë kam një jetim. Nuk kam asnjë lekë në telefon," thotë ai.
Miranda iku 46 vjeç por pas la djalin që sot është 15 vjeç, familjen në një varfëri më të thellë se ajo financiare.
"Punoj të punë të zezë. Ja ku është lavatriçja, duhen larë rroba. Djali thotë: babi mos më le vetëm. Është gjendje shumë e keqe. Për mua është shumë e rëndë," thotë ai.
Shkëlqim Karaj, apelon të gjithë që të mos e lënë shëndetin pas dore pasi vetëm kështu do mund të kapin në kohë sëmundjet vdekjeprurëse.
Njerëzit të vizitohen e ti bien mbrapa vetes së vet," thotë ai.
Teksa largohemi nga shtëpia e tij Shkëlqimi, ashtu me zemër të thyer, lutet që dikush ta ndihmojë.