"Fluturimet me çarter " Boçi: Sheiku Ahm-Ed Bin Rama Al Surrel ka fluturuar më shumë edhe se Xhorxh Bush
PD përmes deputetit Luçiano Boçi ka akuzuar kryeministrin e vendit Edi Rama , pas publikimit të të dhënave për fluturimet, se ai ka fluturuar më shumë edhe se ish-presidenti Xhorxh Bush me avionin që sipas tij e ka dhuratë nga Erdogan.
“Sheiku Ahm-Ed Bin Rama Al Surrel, me çarter pas fundshpine, ka reaguar me breshëri pasi hakerat i zbuluan numrin e fluturimeve me avion-taksi.
Siç e ka zakon kur kapet ngushtë, ai fut në përdorim gjuhën e ashpër dhe sharjet, a thua se gjuha do ta shpëtojë nga ajo që i bën mendja, për hir të tekave kryeministrore. 137 fluturime ka kryer zotëria e tij me avionin kryeministror, dhuratë e Erdoganit, pajë për zhbërjen e shkollave dhe llahtarisjen e fëmijëve shqiptarë.
Dy herë më shumë se ish-Presidenti amerikan Xhorxh Bush që, në dy mandate, ka kryer 74 fluturime me Air Force One. Njeriu më i fuqishëm i botës ka kryer dy herë më pak fluturime në dy mandate se lideri më i pafuqishëm i Europës. Këtë të fundit nuk e thotë PD, ndaj i kërkojmë të mos zemërohet, por e thotë media e njohur Politiko.eu.
Pse ndodh kjo? Sepse kryeministri ynë është në hava-limanin e tij, ku e ka shpënë shkëputja nga realiteti dhe hallet e popullit të vet.Ndërkohë që ai merr sa herë i teket, avionin-taksi, populli i tij rrëmben taksitë e vdekjes për të kaluar La Manshin dhe shpëtuar kokën nga qeverisja e tij”, tha Boçi.