Burg për Gentian Malindin, avokati: Është skenar dhe inskenim politik nga Edi Rama

Gjykata e Posaçme ka në fuqi masën burg pa afat të dhënë në mungesë për Gentian Malindin i akuzuar si porositësi i 137 kg kokanë nga ekuadori. Avokati dhe babai i tij Ilir Malindi pretendoi se Prokuroria nuk ka prova ndërsa në seancë u mësua se arrestimi i të shumëkërkuarit tri ditë më parë ka qenë i rastësishëm nga kontrollet e policisë.

Gjykata e Posaçme vendosi të lërë në burg pa afat Gentian Malindin, i cili u arrestua pak ditë më parë në një automjet në lëvizje në Vorë.

Prej dy vitesh ai ishte në kërkim për trafik kokaine në sasi të mëdha, ndërsa kapja e tij nga policia mësohet se ka qenë e rastësishme.

I arrestuari nuk ka pranuar të ishte i pranishëm në seancë ndërsa babai i tij, Ilir Malindi, i cili e përfaqëson në gjykim edhe si avokat, ka pretenduar se djali i tij nuk ka qëndruar në Shqipëri gjatë kësj periudhe, dhe se ndaj tij nuk ka asnjë provë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

“Prokurori kërkoi të vazhdojë masa e sigurisë kurse Gjykata e la në vend.

Por duhet të keni parasysh që në datën 4 fillon seanca e rregullt, i gjithë ky skenar është skenar politik.

Për arsye se unë shpesh herë e kam kritikuar Kryeministrin Z.Edi Rama. Ai nëpërmjet ish-drejtorit të përgjithshëm Ardi Veliu u hakmarr jo kundër meje sesa kundër djalit tim.

Nuk ekziston absolutisht as edhe një provë, dhe kur them asnjë prove, e them me përgjegjësi penale. Është një inskenim total i Prokurorisë, e SPAK-ut këtu e cila është pjesë e vetë politikës shqiptare që drejton sot. Ai në Shqipëri ka qendruar.

Dokumentat nuk janë të falsifikuara. Janë të rregullta, se si janë nxjerrë është procedurë tjetër. E di më mirë Edi Rama se çfarë bëjnë shërbimet informative.," tha ai.

Që në vitin 2019, Gentian Malindi ishte në kërkim për kokainën e ngarkuar në kontejnerët e mbërritur në portin e Durrësit.

Në lidhje me këtë çështje, Gjykata e Posaçme ka dënuar me 15 vite burg Altin Myslihakën dhe me Ardian Begën dhe 12 vite e 6 muaj për Adrian Begën.

Ata u kapën teksa me anë të një çante nxorën 22 pako që ata mendonin se ishte kokainë, por nga ana tjetër rezultoi se me dorëzim të kontrolluar ishte lëndë e përzier kokainë e me oriz, pasi nga porti i Pireut në Greqi, hetuesit grekë dhe ata shqiptarë kishin vendosur të bënin një dorëzim të kontrolluar, duke i vendosur ngarkesës dhe GPS.

Sipas prokurorisë ka qenë Myslihaka dhe Begaj që nën drejtimin e Malindit kanë kryer veprimet në Portin e Durrësit me qëllim tërheqjen e lëndës narkotike.

Ndërkohë, për shkak të pamundësisë së arrestimit, për Gentian Malindin ishte pezulluar gjykimi i cili rifillon pas arrestimit të tij.