Kryebashkiaku i Kievit i kërkon Perëndimit batanije dhe gjeneratorë: Do të vdesim nga i ftohti
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, përmes gazetës britanike Telegraph i bëri thirrje Perëndimit për ndihmë, pasi vendi i tij pritet të përballet me armikun më të vështirë, dimrin e ftohtë.
Ish-kampioni botëror i boksit po u kërkon aleatëve të Ukrainës që të dërgojnë sa më shpejt batanije dhe gjeneratorë për të mbajtur ngrohtë bashkatdhetarët e tij.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të shpëtuar jetën e njerëzve tanë dhe për t'i mbrojtur ata. Por ky dimër do të jetë një sfidë e madhe për ne”, tha kryebashkiaku 51-vjeçar i Kievit , duke theksuar se rritja e sulmeve ruse ndaj termocentraleve do ta cojë Ukrainën në prag të një krize të re humanitare.
Deri më 10 tetor, pothuajse një e treta e termocentraleve të Ukrainës ishin shkatërruar nga sulmet me dronë dhe raketa ruse, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në Kiev, banorët kanë marrë paralajmërime për një "kolaps të fortë" të rrjetit të furnizimit me energji elektrike në kryeqytetin ukrainas për shkak të bombardimeve ruse, ndërsa pyetja e të gjithëve është nëse sistemi do të përballojë muajt e ardhshëm me të ftohtin e ashpër që pritet në vend.
Në ditët në vijim temperatura gjatë natës në disa rajone të Ukrainës parashikohet të bien deri në -20 gradë Celsius, ndërkohë që shumë banorë janë strehuar në ndërtesa pa gaz, ku i vetmi mjet për ngrohjen e hapësirës është energjia elektrike.