SHBA i kërkon Kurtit shtyrjen e afatit të targave

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtojnë përpjekjet për zbutjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe të përmbahen nga veprimet të cilat mund të çojnë në përshkallëzim të situatës që mund të krijojë vendimi për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet tha se i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, shtyrjen e zbatimit të vendimit, si një përpjekje kjo për të shmangur tensionet në veri, ndërsa përfaqësuesit e serbëve ne zonë kanë paralajmëruar veprime për kundërshtimin e këtij vendimi.

“Bisedova me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja për targat, pa konfiskim apo gjoba. Gjithashtu diskutuam për partneritetin tonë dhe synimet e përbashkëta për çuarjen përpara të integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, tha Chollet përmes rrjeteve sociale.

Duke i bërë jehonë këtij mesazhi, edhe ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier, tha se “është e rëndësishme të shmangen tensionet dhe të shtyhet zbatimi i vendimit për targat.

“Po ashtu, ne dënojmë veprimet frikësuese apo hakmarrëse ndaj tyre që kanë konvertuar targat e tyre”, u shpreh ambasadori Hovenier, duke ju referuar incidenteve në veriun e Kosovës ku gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar tri raste të djegies së makinave dhe dëmtimit të pronave të qytetarëve serbë, që kanë konvertuar targat e makinave.

Të hënën, më 31 tetor skadon afati i vendosur nga qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Republikës së Kosovës