Inter-fatal, 4-0 ndaj Plzen dhe një biletë për në fazën tjetër të Champions League (VIDEO)
Inter në fazën e 1/16 të UEFA Champions League. Skuadra milaneze formalizon kualifikimin me një fitore të lehtë kundër kamionëve të Çekisë, Viktoria Plzen. Nuk ishte aspak një ndeshje për t’u konsideruar stërvitore dhe Interi e kuptoi këtë deri në minutën e 35 kur Mkhitaryan shënoi golin e parë të ndeshjes me kokë pas një gjesti teknik për t’u lavdëruar nga Edin Dzeko.
Kaq mjaftoi që “San Siro” i tejmbushur dhe në krahët e entuziazmit të shtynte skuadrën drejt golit të dytë që e gjeti Edin Dzeko.
Më i qetë Simone Inzaghi në pankinë dhe lojtarët në fushë që menaxhuan me mjeshtëri fitoren ndërsa Mkhitaryan për pak sa nuk gjeti edhe të tretin pasi e stampoi topin në shtyllë.
Ishte mbrëmja e Edin Dzekos që shënoi edhe të dytin personal ndërsa 5 minuta nga fundi Romelu Lukaku u rikthye me gol pas rreth dy muajve mungesë.
Rreth 20 minuta për Kristjan Asllanin në këtë ndeshje ku zuri vendin e Hakan Calhanoglu. Sukses që e ngjit Interin në kuotën e 10 pikëve me sigurinë matematike të biletës së fazës tjetër, pavarësisht rezultatit të ndeshjes Barcelona-Bayern Munchen.
Në ndeshjen tjetër të pasdites, Porto shkatërroi po 4-0 Club Brugge duke u ngjitur në vendin e dytë të grupit B me 1 pikë më pak se kampionët e Belgjikës.
