4 ndeshje pezullim presidentit të Bylisit, Besnik Kapllanaj
Komisioni i Disiplinës në FSHF vepron me dorë të hekurt ndaj Bylisit dhe Tomorit pas ngjarjeve të javës së fundit në futbollin shqiptar. Presidenti i Klubit të Bylisit, Besnik Kapllanaj është dënuar me 4 javë pezullim nga çdo aktivitet që ka lidhje me Bylisin që ështe gjobitur edhe me 50 mijë lekë. Numri 1 i mallakastriotëve është dënuar për shkak të sjelljes së tij josportive ndaj delegatit të ndeshjes në “Loro Boriçi”. Ndërkohë, trajneri i Tomorit, Polizoi Arbri dënohet me 8 ndeshje pezullim. Vendimet e plota të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 26.10.2022;
- KF Bylis, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
- Zyrtari i KF Bylis, Besnik Kapllanaj, për proteste ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 55/2 të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 20 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në aktivitetet sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.
- Zyrtari i KS Korabi, Florian Beqiri, për proteste ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- Zyrtari i FK Tomori, Polizoi Arbri, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në aplikim të nenit 32/2/3 të KDS, vendoset pezullimi i pjesshëm i zbatimit të dënimit pas shlyerjes së gjysmës së tij. Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 32/4 të KDS, do të jetë 6 (gjashtë) muaj.
- Zyrtari i FK Tomori, Klodian Arbri, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, me fjalë ofenduese dhe duke shkelur parimet e fair play, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- Lojtari i KF Iliria, Gojardo Xheka, për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Lojtari i FK Gramshi, Mateo Miraka, për sulm ndaj kundërshtarit dhe provokim i publikut, në bazë të nenit 47/1/e dhe 52/1 të KDS, dënohet me 7 (shtatë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- AF Shqiponjat 2017, U-17, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë se parë U-17, kundër FC Lushnja U-17, në bazë të nenit 54/1 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3 – 0 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.
