Miliona për mbetjet në Kavajë, Bashkia i jep tenderin 4.7 milionë euro kompanisë private

Bashkia e Kavajës ka shpallur fituesin e tenderit prej 4.7 milionë euro për pastrimin e qytetit dhe tri njësive administrative. Në këtë procedurë është skualifikuar kompania që ka paraqitur ofertën më të ulët, ndërsa fitues është shpallur kompania që bëri ofertën 958 mijë euro më të shtrenjtë.

Menaxhimi i mbetjeve në bashkitë e vendit vijon t’u kushtojë miliarda lekë buxhetit të shtetit me procedura të dyshimta.

Bashkia e Kavajës ka zhvilluar një tender me vlerë 5.5 miliardë lekë, ose rreth 4.7 milionë eurosh për pastrimin e qytetit të dhe njësive administrative Synej, Luz i Vogël dhe Helmes.

Sipas dokumentave të tenderit, bashkimi i operatorëve “Alko Impex Construction” dhe “ALKO-IMPEX General Construcion”, është shpallur fituese të tenderit, megjithëse nuk ka dhënë ofertën më të ulët.

Para se të shpallej ky rezultat, autoriteti kontraktor, pra Bashkia e Kavajës, kishte eleminuar dy konkurentët e tjerë në garë.

Një nga 2 kompanitë e skualifikuara është edhe bashkimi i operatorëve “Korsel” dhe “Cogren” të cilët kishin paraqitur ofertën më të ulët.

Ndërsa bashkimi i operatorëve “Alko Impex Construction” dhe “ALKO-IMPEX General Construcion”, edhe pse kishin ofruar 958 mijë euro më shumë se oferta më e ulët, janë shpallur fitues.

Për më tepër, subjektet që ka fituar tenderit kanë kërkuar sa 99% të fondit limit për të kryer punën për 5 vite që nga nënshkrimi i kontratës.

Dy kompanitë fituese që kanë konkurruar si një e vetme, menaxhohen nga i njëjti person që është Arbër Abazi, i cili rezulton pronar tek njëra kompani dhe administrator tek tjetra.

Edhe në verifikimet e bëra nga Open Data, kjo procedurë është vlerësuar me flamur të kuq me arsyen e skualifikimit të operatorëve konkurrues në raport me fituesin.