Presidenti gjerman viziton Kievin për herë të parë pas nisjes së luftës

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka arritur në Kievin më 25 tetor, në një vizitë të paparalajmëruar, tha një zëdhënës i tij.

Steinmeier, që arriti në kryeqytetin ukrainas përmes trenit, pritet të takohet gjatë ditës me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Kjo është vizita e parë e Steinmeier qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, por është përpjekja e tij e tretë për të udhëtuar për në Kiev.
Javën e kaluar, Steinmeier shtyu një udhëtim të planifikuar për në Ukrainë, për shkaqe sigurie.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Presidenti gjerman po ashtu kishte planifikuar që ta vizitonte Kievin së bashku me homologët e tij nga Lituania, Polonia, Letonia dhe Estonia në prill, por pak para vizitës iu kërkua që të mos udhëtonte drejt kryeqytetit ukrainas.

Kërkesa e Kievit që Steinmeier të mos e vizitonte Ukrainën kishte të bënte me kritikat e vazhdueshme për lidhjet e presidentit gjerman me Moskën dhe për mospërfilljen e paralajmërimeve nga fqinjët në Evropën Lindore për kërcënimin nga agresioni rus, në kohën kur ishte ministër i Jashtëm.

Steinmeier po ashtu shkaktoi zemërim në Kiev në ditët e para të pushtimit rus, duke i ofruar Ukrainës vetëm 5.000 helmeta si ndihmë ushtarake.

Steinemeier fillimisht kishte mbrojtur një politikë më të butë ndaj Rusisë, por gjatë pushtimit të Ukrainës, e pranoi se politika e tij ishte e gabuar. Që atëherë, Gjermania ka nisur t’i dhurojë Ukrainës armatim të rëndë./REL