Sunak, i pari kryeministër jo i bardhë dhe jo i krishterë/ Britanikët sytë te ekonomia, aleatët te shpenzimet për sigurinë

Britanikët do të kenë në krye të shtetit 42-vjeçarin, Rishi Sunak, me origjinë indiane. Ai është kryeministri më i ri në historinë moderne të vendit, ndërsa sfidat që ka përpara janë shumë të forta, xhepi i qytetarëve në këto kohë kur çmimet kanë kapur majat dhe shpenzimet për mbrojtjen teksa lufta në Ukrainë është fokusi i Perëndimit.

Kriza në Westminster ka marrë zgjidhje këtë fillimjavë. 42 vjeçari Rishi Sunak do të jetë kryeministri i ri i britanikëve.

Ish-studenti i Oxfordit ka fituar garën përball ish-kryeministrit Boris Johnson, në kabinetin e të cilit shërbeu si kancelar më herët. 

Analistët britanikë thonë se Sunak mund të jetë më efikas për t'i dhënë zgjidhjeve sfidave ekonomike që kanë përpara qytetarët.

Konservatorët kanë në plan që në qeverinë e re të krijojne një dyshe të fortë për ekonominë -ministrin aktual të Financave Hunt dhe kryeministrin Sunak, që ka diplomë nga Oxfordi për ekonomi dhe ka punuar me herët bankier.

Ndërkohë, në rrafshin politik, konservatorët janë të përçarë dhe sfida e Sunakut është nëse do të ketë vizionin për t’i bashkuar të djathtët britanik teksa laburistët janë mirë me sondazhe.

Mediet britanike kanë sjellë menjëherë në vëmendje gruan indiane miliardere të Sunakut. Ai është martuar me vajzën e njërit prej personave me të pasur në Indi. Pyetja e disa medieve britanike është se sa taksa do të paguajë gruaja e tij?

Sunak është kryeministri më i ri britanik në epokën moderne. 42-vjeçari është një vit më i ri në moshë se Tony Blair dhe David Cameron.

Ai vjen nga një familje indiane me origjinë nga Punjabi, që emigroi në Britani shumë vite më pare. Sunak ka lindur në Southampton dhe është shkolluar në dy universitete prestigjoze: Oxfordi në Angli dhe Stanfordi në Amerikë.

Kabineti i ri britanik është në qendër të vëmendjes së analistëve ndërkombëtarë.

Ndërsa qytetarët presin të shohin se si do të ndihmohen për të përballuar krizën, aleatët kërkojnë të shohin se sa dhe si do të investojnë britanikët tani që në kontinent ka një luftë në kufijtë e tij, në Ukrainë, e cila ka sjellë tensione të forta ushtarake.