VIDEO- Protestuesit e karburanteve fosile i hedhin në fytyrë tortë me çokollatë "monarkut britanik"

Katër persona janë arrestuar për dëmtim kriminal, pasi një vepër dylli e mbretit Charles III u vandalizua në Madame Tussauds në Londër të hënën.

Dy mbështetës të grupit të fushatës Just Stop Oil u kapën në kamera duke hedhur tortën me çokollatë mbi fytyrën e statujës së monarkut britanik.

Në një video të shpërndarë në faqen e grupit në Twitter, dyshja shihen duke hequr veshjet e tyre të zeza për të zbuluar bluzat e bardha "Just Stop Oil" sapo mbërrijnë në podiumin e statujave të familjes mbretërore.

Pasi hedhin tortën, ata u thonë të pranishmëve se është "koha për veprim".

"Ne iu përgjigjëm shpejt një incidenti në Madame Tussauds pasi dy persona hodhën ushqim në një statujë rreth orës 10:50," tha Policia Metropolitane e Londrës në një postim në Tëitter të hënën, duke shtuar: "Katër persona janë arrestuar për dëmtime kriminale në lidhje me këtë incident."

Just Stop Oil tha se dyshja "po kërkojnë që qeveria të ndalojë të gjitha licencat dhe pëlqimet e reja të naftës dhe gazit".

Incidenti i së hënës është i fundit në një varg veprimesh nga grupe aktiviste në të gjithë Evropën, të krijuara për të tërhequr vëmendjen ndaj rolit të lëndëve djegëse fosile në ndryshimet klimatike.

Të dielën, dy protestues të krizës klimatike qëlluan pikturën "Haystacks" të Claude Monet me pure patatesh në Muzeun Barberini në Potsdam, Gjermani.