Stërvitja ushtarake e NATO-s me bombarduesit amerikanë B-52
NATO ka ngritur këtë të hënë në ajër avionët e vet që mbajnë koka me mbushje bërthamore. Kjo vjen në kuadër të një stërvitjeje të përbashkët për të treguar edhe dhëmbët ndaj Rusisë që kërcënoi me armatim nuklear.
Aleanca veriatlantike ka nisur këtë javë stërvitjen e saj ushtarake që ka në fokus edhe armatimin bërthamor.
Bombarduesit amerikanë B-52 dhe 60 avionë të tjerë të llojeve të ndryshme do të marrin pjesë në fluturimet stërvitore mbi Belgjikë, Britani të Madhe dhe Detin e Veriut.
Operacioni i NATO-s ka mërrë emrin "Mesdita e qëndrueshme" dhe vjen në një kohë kur rusët kanë kërcënuar se mund të përdorin armatim bërthamor nëse kërcënimi është ekzistencial.
Më herët edhe presidenti amerikan Biden ka reaguar duke thënë se aleatët duhet të ndihen të sigurtë ndaj çdo lloj kërcënimi, pasi asnjë centimetër katror i territorit të tyre nuk do të preket.
Katërmbëdhjetë nga 30 anëtarët e NATO-s do të marrin pjesë në këtë stërvitje. Avinët luftarakë janë të aftë për të mbajtur koka bërthamore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka refuzuar çdo thirrje për të anuluar stërvitjen, pasi Putini fuqizoi retorikën e tij bërthamore.
“Do të dërgonte një sinjal shumë të gabuar nëse befas anulonim një stërvitje rutinë të planifikuar prej kohësh për shkak të luftës në Ukrainë”, tha Stoltenberg javën e kaluar.
NATO thotë se nuk ka parë asnjë ndryshim në qëndrimin bërthamor të Rusisë, pavarësisht gjuhës më të ashpër nga Kremlini. “Por ne mbetemi vigjilentë”, tha Stoltenberg.
