Itali, nesër votëbesimi i Kuvendit ndaj qeverisë Meloni

Mëngjesin e të martës së 25 tetorit, në orën 11 me orën lokale, Giorgia Meloni do të mbajë fjalimin e saj të parë në Parlamentin e Romës, në të cilin do të prezantojë pikat kryesore të programit të saj qeverisës.

Theks i veçantë pritet të vihet tek energjia, tek Ukraina, te pozicioni i vendit në NATO dhe në Bashkimin Europian, tek mbrojtja e prodhimit vendas bujqësor dhe industrial.

Mbrëmjen e nesërme, nga ora 7 me orën italiane, katërqind deputetëve italianë do t'u kërkohet votëbesimi për qeverinë e gjashtëdhjetë e tetë të republikës italiane.

Rezultati pozitiv i votimit, në thelb, konsiderohet i sigurt (nëse nuk ka surpriza) ndërkohë që të mërkurën qeveria do të kërkojë votëbesimin edhe nga senati italian.