Kaos me transportin urban, mungesa e tabelave informuese problematikë e vazhdueshme

Mungesa e tabelave në stacionet e urbanëve është kthyer në shqetësim për qytetarët të cilët shpesh presin përtej orareve ndërkohë që nuk kanë informacionin  bazë për shërbimin që u ofrohet. Këtë shqetësim e ka ngritur dhe shoqata e transportit urban e interurban e cila kërkon që ky problem të marrë zgjidhje.

Rradhët e gjata në stacionet e autobusave janë kthyer në shqetësim për udhëtarët.

Nga monitorimi i situatës në terren problematikat që hasen në linjat e urbanëve janë të shumta ku më kryesorja mbetet dhe Mungesa e tabelave të orareve dhe informacionit.

Këtë shqetësim e ka ngritur dhe Shoqata e Transportit Urban e Interurban. Kreu i kësaj shoqate Dashnor Memaj thotë se kjo risi nuk ka kosto të lartë dhe duhet të funksionojë në të gjitha linjat.

Dashnor Memaj: Natyrisht, aq e rëndësishme sa aspekti ekonomik që kemi përmendur ne është dhe infrastruktura vendosja e informacioneve të duhura për qytetarët. Nuk ka asnjë kosto të madhe për instancat përgjegjëse që të krijojnë disa stacione urbane. Ne kemi eksperiencë nga një linjë e cila e ka vendosur privatisht këtë fazë infrastructure duke i pajisur autobusët  me barkode dhe pot ë vendoset barkodi del se në çfarë vendi është autobusi më i afërt. Është funksionale për pjesën e linjës Tiranë-Kamëz.

Memaj thotë se disa nga problemet e transportit vijojnë të jenë pa zgjidhje si parkim ndalimi i mjeteve në hapësirat e vijave të verdha të stacionit, duke penguar ndalimin e autobusit në stacion.

Më herët qendra Alterum ka bërë një peticion ku kërkon nga këshilli bashkiak të merret vendimi për vendosjen e tabelave informuese në cdo stacion autobusi por ky problem ende nuk është parë me seriozitet.