Lejuan 29 ndërtime pa leje, caktohen masat e sigurisë për 8 ish-zyrtarët e IMT-së në Lushnje
Ndërkohë që qeveria ka shpallur nisjen e aksionit kundër ndërtimeve pa leje, një numër zyrtarësh janë marrë në hetim për lejimin e punimeve pa leje në 21 objekte në qytetin e Lushnjes gjatë vitit të kaluar.
Hetimi i prokurorisë është finalizuar me procedimin e ish-drejtorit të IMT dhe tre inspektorëve si dhe katër efektivëve të policisë, të cilët janë pezulluar nga detyra dhe janë lënë në masën detyrim paraqitje.
Një numër zyrtarësh të akuzuar se lejuan ndërtimin 29 objekteve pa leje përgjatë vitit 2021 janë proceduar nga Prokuroria e Lushnjes për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Burime zyrtare thanë se janë ekzekutuar 8 masa sigurie për ish-zyrtarët e IMT për ‘shpërdorim detyre’ dhe punonjësve të policisë akuzohen për korrupsion pasiv”.
Sipas prokurorisë, shumica e objekteve pa leje janë ndërtuar në vitin 2021 por janë dokumentuar edhe raste të tjera ndërtimesh të kundraligjshme të kryera deri në muajin mars 2022.
Për ketë hetim prokuroria ka bashkëpunuar edhe me shërbimet e Policisë Gjyqësore pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (A.M.P), ku janë dokumentuar dhe episode të korrupsionit aktiv/pasiv mes të katër shtetasve.
Këta të fundit me detyrë punonjës të policisë. Nga tërësia provave, provohet se shtetasi Gj.M, me detyrën e ish- kryeinspektorit të I.M.T. Bashkia Lushnjë, si dhe shtetasit I.B., K.S. dhe Xh.Z., me detyrën e inspektorëve të I.M.T., Bashkisë Lushnjë, nuk kanë ushtruar detyrën e tyre në përputhje me ligjin për të paktën 29 raste të ndërtimeve pa leje.
Nga këto, për 20 ndërtime të kundraligjshme të kryera në emër të subjekteve të ndryshëm, nuk janë mbajtur procesverbale konstatimi të kundravajtjes, vendime për dënime me gjobë apo vendime për prishje objekti të paligjshëm nga I.M.T., Bashkia Lushnje, ndërsa për 9 ndërtime të kundraligjshme në emër të shtetasve të ndryshëm janë marrë masa administrative pas vënies në dijeni të ndjekjes së këtyre rasteve nga organet hetimore, pas informacionit të kërkuara nga prokuroria lidhur me to.
Po ashtu, në asnjë rast nuk janë përpiluar kallëzime penale ndaj subjekteve ndërtues, sikur kërkohet nga ligji.
