"Kanë nevojë për psikolog", eksperti i kriminalistikës: Policët e rinj ti nënshtrohen testeve psikologjike
Sjellja e punonjësve të policisë ndaj 32-vjeçarit Lear Kurti tregon edhe njëherë gjendjen problematike të efektivëve të rendit, veçanërisht atyre në moshë të re. Ekspertët e kriminalistikës sugjerojnë që në çdo komisariat efektivët e sapoemëruar ti nënështrohen testeve psikologjike në mënyrë periodike për të shmangur incidentet, por edhe veprimet arbitrare.
Veprimi i gabuar i efektivëve të komisariati nr.3 duket se i ka kushtuar jetën Lear Kurtit, i cili duhej dërguar direkt në spital në vend të ndalimit për ta shoqëruar në komisariat.
Por përballja më këtë sitatë dhe veprimet arbitrare të punonjësve të policisë sipas prokurorisë çuan në vdekjen e 32-vjeçarit.
Nisur edhe nga këto raste të përsëritura, ekspertët sugjerojnë se në çdo komisariat të bëhen seanca me psikologë apo psikiatër pasi po shikohet se efektivët nuk dinë të përballën me qytetarët.
"Është e domosdoshme jo vetëm ti nënshtrohen testit por në shkollat e policisë të ketë psikologë, mundësisht psikiatër stacionar. Forcat e policisë janë forca të armatosura, mbajnë armë dhe përbëjnë rrezikshmëri, plus që dhe forca që për hir të vërtetës përballen me ngarkesë të lartë."
Sipas kriminalistit, Artan Rexhepi, vëmendje më e shtuar duhet ti jepet Akademisë pasi të gjithë efektivët e përfshirë rezultojnë të sapodalë nga shkolla e sigurisë.
"Nuk janë ngjarje që po ndodhin për herë të parë, kemi vetëvarje në komisariatin e Kavajës, ngjarjet njëra pas tjetrës. E shenjtë është jeta e policit, por edhe e personit të shoqëruar."
Por çfarë shkakton stres dhe paqartësi në situata tek efektivët e policisë?
"Mirëtrajtimi i tyre në mënyrë që mos të krijosh precedent që polici të rekrutohet, mos ta çosh në krizën e bukës para problemeve të rënda financiare. Por tek e fundit ai është një pakt që njeriu e bën si me veten dhe me ligjin."
Aktualisht këtij testimi i nënshtrohen efektivët e RENEA-s, FNSH, FAST dhe ato Operacionale.
Testi psikologjik që aplikohet tek Forcat Speciale sipas procedurave kryhet sa herë që ka dyshime rreth sjelljes së efektivit.
