Kryetarja e Kuvendit, Nikolla takon homologun kroat

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë Gordan Jandroković në Kroaci.
Në takim merrnin pjesë edhe anëtarët e grupit parlamentar të miqësisë me Kroacinë, Zëvëndëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, deputetja Shpresa Marnoj, dhe Ambasadori i Shqipërisë, Riza Poda.
“Shqipëria dhe Kroacia kanë qëndrime të përbashkëta në fushat me rëndësi strategjike, për çështje të bashkëpunimit rajonal dhe të zhvillimeve në Evropë e më gjerë. Të dy vendet tona mbajnë qëndrime të përbashkëta për mbështetjen e Ukrainës dhe mbrojtjen e paqes e sigurisë. Shqipëria i është mirënjohëse Parlamentit dhe Qeverisë së Kroacisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj çuarjes përpara të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe çeljen e negociatave.” u shpreh Nikolla gjatë takimit.
Gordan Jandroković tha se si partnerë në NATO, po përballojmë bashkarisht sfidat e rajonit e më gjerë si edhe pasojat e luftës në Ukrainë. Gjithashtu u shpreh se mbështetja e Kroacisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE do të vijojë me po atë vendosmëri si deri tani.
Kryetarja Nikolla e ftoi Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandroković, për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, e cila do të realizohet së shpejti.
