Protesta në ditën e gjashtë, Pedagogët: Po na kërcënojnë. Një lavazhier paguhet më shumë se ne
Pedagogët vijuan protestën dhe bojkotin e mësimit ndërsa thonë se nuk do të tërhiqen edhe pse ndaj tyre po ushtrohet presion por nuk kanë munguar as kërcënimet. Qeverisë i bënë thirrje të ndalojë intimidimet dhe të shqyrtojë me seriozitet kërkesat e tyre për pagat dhe kërkimin akademik si një mënyrë për frenimi e largimit masiv të të rinjve jashtë vendit.
Në protestën e të hënës, e gjashta prej nisjes së vitit akademik pedagogët deklaruan se do të vazhdojnë bojkotin ndaj auditoreve pavarësisht se ndaj tyre ka pasur kërcënime dhe presione.
“Po përdoren mënyra miskine. Kërcënime. Kanë sulmuar gruan. Na kanë sulmuar tek fëmijët”
“Ka me shumicë strukturash kërcënuese alla çunash të fortë”
Teksa lexoi një letër të hapur drejtuar përfaqësuesve të shtetit dhe ambasadave Kryetari i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi i bëri thirrje qeverisë të ndalojë intimidimet.
“Trajtojini me seriozitet maksimal kërkesat që kanë për qëllim përmirësimin e gjëndjes në arsimin e lartë publik”
Theksuan sërish se paguhen shumë pak.
Elior Vila pedagog në Universitetin e Elbasanit tha se rroga e tij është më e ulët se e një lavazhieri.
“Unë pas 14 vitesh studime në universitet, 9 vite jashtë shteti, duke mbyllur ciklet e kualifikimit sot jam drejtues departamenti paguhem me 89 mijë lekë, ndërsa punëtori I lavazhit merrte 90 mijë lekë”
Pedagogët kërkuan shtim të buxhetit për arsimin dhe përmirësim të infrastrukturës në fakultete
Të martën protesta do të zhvillohet kryesisht në fakultete ndërsa të mërkurën pedagogët njoftuan mbajtjen e një forumi në Universitetin Politeknik.
Pavarësisht bojkotit, që ka qenë i pjesshëm dhe protestës disa ditore qeveria ende nuk ka nisur dialogun me pedagogët për shqetësimet që ata kanë ngritur.
