“Ka ndodhur në përgjegjësinë e policisë”, Strazimiri: Po ta kishin dërguar menjëherë në spital Lear Kurti do të ishte gjallë
Ish deputeti Gent Strazimiri në një intervistë për RTV ORA me gazetaren Besmira Pelushaj foli rreth rastit të 32 vjeçarit Lear Kurti i cili humbi jetën në duart e policisë.
Strazimiri pohon faktin se ka mungesë transparence dhe thotë se përgjegjës për këtë gjë janë Ardi Veliu dhe Bledi Çuçi.
Gent Strazimiri: Unë jam nën efektet negative të intervistës së djeshme të nënës së viktimës që hedhin poshtë gjithë atë çfarë ka thënë policia. Ka mungesë transparence. Besimi i publikut te institucionet shtetërore veçanërisht te policia është minimale. Me këto zvarritje me këto gjysma të vërtetash mendoj se është kompromentuar rezultati se sido të dali do të jetë i kompromentuar. Është një person i cili ka gënjyer për raste të ngjashme. Ardi Veliu është personi më i papërshtatshëm për të hetuar këtë rast. Veliu me ligj është instrument që ministri ka për ligjshmërinë e policisë. Ardi Veliu dhe Bledi Çuçi janë përgjegjës, të bëjnë transparente ngjarjen.
Ish deputeti thotë se policët nuk u shqetësuan për shëndetin e 32 vjeçarit si dhe thotë se nëse do ta kishin dërguar menjëherë në spital do të ishte gjallë.
Gent Strazimiri: Ajo që më bënte përshtypje sot është se nga videot e nxjerra nga gazetarët nga të thënat e miqve rezulton se ngjarja ka ndodhur te dera e Spitalit të Traumës. Ata nuk janë shqetësuar për shëndetin e tij. Kur kanë parë se ka vdekur e kanë çuar për në spital. Po ta kishin dërguar menjëherë në spital do të ishte gjallë. Kjo ka ndodhur në përgjegjësinë e policisë së shtetit. Policia e ndjen veten me ç’profesionalizëm, zot të jetës.
