"Cënim i fjalës së lirë", Avokati i Popullit verifikon incidetin e Veliajt me gazetaren e Ora News, Sonila Musaj

Avokati i Popullit i rekomandon bashkisë së Tiranës marrjen e masave të nevojshme nga punonjësit e Inspektoratit për Mbrojtjen e Territorit pranë Bashkisë Tiranë dhe nga strukturat e Policisë Bashkiake për të respektuar dhe garantuar të drejtën e ushtrimit të profesionit dhe raportimit të ngjarjeve nga gazetarët e pranishëm gjatë prishjeve të banesave, protestave apo aktiviteteve të tjera të kësaj natyre.

Gjithçka lidhet me aksionin për shembjen e banesave në zonën e "5 Majit" mëngjesin e 9 shkurtit të këtij viti, rast të cilin Avokati i Popullit e ka ndjekur me iniciativën e tij.

Përveç banorëve, forcat e policisë kanë larguar me forcë gazetaren e Ora News, Sonila (Musaj) Dema e cila ishte duke raportuar live ngjarjen nga terreni.

Rastin në fjalë gazetarja e referoi në prokurorinë e Tiranës em 16 shkurt. Por pak ditë më vonë, konkretisht me 22 shkurt organi i akuzës pas shqyrtimit të akteve të referuara u mor vendimi për mosfillimin e procedimit penal.

Ky vendim është ankimuar nga shtetasja Dema në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar.

Pavarësisht zgjidhjes dhe vendimmarrjes së organeve gjyqësore për këtë çështje penale, nëse janë konsumuar apo jo elementet e figurës penale, Avokati i Popullit  vlerëson se sjellja dhe trajtimi me dinjitet i gazetarëve mbetet një sfidë në realitetin shqiptar, në veçanti nga punonjësit e strukturave shtetërore.

Avokati i Popullit konstaton se në këtë rast ka elemente të cenimit të të drejtave të rëndësishme të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si ajo e lirisë së shtypit dhe e drejta e informimit. Për këtë arsye, lind nevoja e trajtimit të këtij rasti si rast përgjithësues.

"Cënim i fjalës së lirë", Avokati i Popullit

"Avokati i Popullit në deklaratat e tij të herëpashershme, por edhe në disa rekomandime, të bëra publike, është shprehur për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe gazetarëve, si dhe të drejtën e qytetarëve për të qenë të informuar në kohë reale për ngjarjet me interes publik. Po ashtu, institucioni ynë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë të drejtave të gazetarëve dhe ka ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë me mediat edhe në kuadrin e “aleancës kundër gjuhës së urrejtjes”.

Avokati i Popullit nënvizon se është tepër e rëndësishme që institucionet ta respektojnë misionin informues të gazetarëve dhe sigurisht t’i japin fund kulturës së intimidimit apo sulmeve mbi gazetarët.

Nga ana tjetër, është e nevojshme që edhe komuniteti i medias të kuptojë rëndësinë e misionit të vet e ta ruajë atë nga shpërdorimi e keqpërdorimi.

"Rëndësia e këtyre të drejtave demostrohet edhe nga moria e instrumenteve apo organizmave ndërkombëtare që e kanë trajtuar.Gazetarët duhet të ndihen të sigurt për të punuar. Pa lirinë e medias, nuk ka shoqëri të lirë dhe demokratike. Liria e shprehjes dhe liria e medias janë standardet kryesore me të cilat vlerësohet përparimi i vendeve kandidate drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian".

 

Dokumenta bashkëngjitur