Vrasja e 34-vjeçarit në Fushë Krujë, gjykata lë 60 ditë në burg për hetime dy vëllezërit e dyshuar

Gjykata e Krujës caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg” me afat 60 ditë për vëllezërit Sajmir dhe Landi Miri, të dyshuar si autorë të vrasjes së Indrit Ndoj në Fushë-Krujë më 21 tetor.

Dy vëllezërit Sajmir dhe Landi Miri mohuan në Gjykatën e Krujës të jenë ata personat që vranë dhe hodhën në kanal fqinjin e tyre 34-vjeçar Indrit Ndoj.

Para togave te zeza, mësohet se ata mbajtën qëndrim mohues përballë akuzave të ngritura nga Prokuroria e Krujës që kërkoi masën e sigurisë "arrest me burg" me akuzën e vrasjes.

Ditën kur vëllezërit 39 dhe 18 vjeç u vunë në pranga, policia tha se kishte arritur të dokumentojë me prova ligjore përfshirjen në  krimin e zbuluar më 21 tetor.

Por duket se ato që policia dhe prokuroria i quajtën prova, nuk e kanë bindur gjykatën.

Në këto kushte, gjyqtarja Kostandina Kuro caktoi masën “arrest me burg” me afat 60 ditor për Sajmir dhe Landi Mirin.

Trupi gjykues i dha kështu kohë dy muaj Prokurorisë të mbledhë prova të reja mbi autorët e dyshuar të vrasjes së 34-vjeçarit Ndoj, i cili ishte me masë “arrest shtëpie”.

Trupi i pajetë i të riut u gjet në një kanal jo shumë larg banesës së prindërve në lagjen "Bakushe Visha".

Ai ishte qëlluar me kaçavidë në këmbë dhe dyshohet se humbi jetën për pasojë të gjakderdhjes.

Vëllezërit Miri u arrestuan nga policia një ditë më pas si autorë të dyshuar të krimit.