Kujdes në Tiranë-Durrës! 25 ditë punime për rehabilitimin e autostradës, 500 m të bllokuara

Nga kjo e mërkurë dhe për 25 ditë në vijim, në autostradën Tiranë-Durrës do të kryhen punime për rehabilitimin e asfaltit në të dy senset. Njëra korsi lëvizjeje do të jetë e lirë për drejtuesit e mjeteve dhe tjetra do të jetë përkohësisht e bllokuar për 500 metra.

Nëse do të udhëtoni në autostradën Tiranë-Durrës duhet të tregoni kujdes.

Nga kjo e mërkurë dhe për 25 ditë në vijim në këtë rrugë do të kryhen punime për rehabilitimin e shtresave të asfaltit.

Punimet nisën në orët e para të mëngjesit në segmentin nga Ura e Dajlanit në drejtim të Shkozetit.

Lëvizja do të bëhët sipas një skeme të miratuar nga ARRSH dhe Policia Rrugore.

Njëra korsi lëvizjeje do të jetë e lirë për drejtuesit e mjeteve dhe tjetra do të jetë përkohësisht e bllokuar për 500 metra.

Më përfundimin e plotë të punës në gjatësinë e përcaktuar, bllokimi spostohet me 500 metra.

Për të shmangur aksidentet ARRSH dhe Policia Rrugore udhëzojnë drejtuesit e mjeteve të respektojnë sinjalistikën e vendosur në segmentet e autostradës ku do të punohet.

Një ndërhyrje e ngjashme u krye në vitin 2021 në segmentin Qafë-Kashar deri në Urën e Dajlanit, në të dy drejtimet e rrugës.

Gropat në mes rrugës, si pasojë e dëmtimit të autostradës shpesh herë janë bërë shkak për aksidente të rënda në autostradën Tiranë-Durrës që është një prej rrugëve me fluksin më të lartë të qarkullimit të mjeteve në ditë.