Dyshohet se strehonte Talo Çelën, Gjykata mban në qeli tregtarin e armëve dhe opiumit në Belsh
Dyshohej se strehonte të shumëkërkuarin Talo Çela, ndërsa banesën e kishte kthyer në magazinë armësh dhe droge. Gjykata e Elbasanit vendosi të mbajë në burg 60 vjecarin nga Belsh, Aqif Bezatin, ndërsa la të lirë shokun e tij
Gjykata e Elbasanit vendosi të mbajë në burg Aqif Bezatin, në banesën e të cilit në fshatin Dëshiran të Belshit u zbuluan një arsenal armësh, municione dhe lëndë narkotike.
60 vjecari mbahej nën përgjim prej një muaji nga prokuroria e Elbasanit pasi dyshohej se në pronat e tij fshihej Talo Cela.
Por kur blutë ndërhynë, nuk e gjetën të shumëkërkuarit të drejtësisë, por zbuluan veprimtarinë kriminale me të cilën merrej Aqif Bezati.
Aty blutë gjetën armë zjarri, granata dhe mijëra fishekë të kalibrave të ndryshëm
Po ashtu 60 vjecarit iu kapën 3.6 kg, kanabis sativa dhe 1.4 kg, bimë narkotike të llojit opium.
Në banesë u gjetën 3.7 milion lekë, 5000 paund dhe 8950 euro, të cilat dyshohet se Aqif Bezati i ka përfituar nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve dhe të trafikimit të armëve.
Operacioni “Deshiran” vijoi me tej në banesën Veli Deliut, me lidhje shoqërore me 60 vjeçarin Bezati, të cilit iu gjet një armë gjahu pa leje.
Këtë të hënë, gjykata e Elbasanit vendosi që hetimi për 55 vjecarin Deliu të vijojë me masën e sigurisë arrest shtëpie.
Talo Çela, prej disa kohësh është në krye të listës së të kërkuarve të drejtësisë, pas dëshmive të të penduarit Nuredin Dumani.
Ai akuzohet për disa ngjarje të rënda kriminale, mes të cilave grabitja e parave në aeroportin e Rinasit dhe vrasje.

