Të rrethuar me policë e fadroma, Bashkia e Tiranës ndërton jashtë standardeve, “plasin” ujërat e zeza
Bashkia e Tiranës në projektin e rindërtimit për të prekurit nga tërmeti, po rrezikon banesat ekzistuese të qytetarëve të Kombinatit. Në këtë zonë punimet e kryera për rrethimin e kantierit kanë bllokuar hyrjet e rreth 30 banesave, duke bllokuar edhe qarkullimin e automjeteve. Ndërhyrja ka dëmtuar edhe ujërat e zeza që kanë krijuar rrezik për infeksione tek qytetarët.
Rreth 30 familje në Rrugën e Vrionëve në Kombinat janë zgjuar mëngjesin e së shtunës të rrethuar nga policët dhe fadromat.
"Që në mëngjes të vijnë 150 forca policie është një tmerr. Na kanë terrorizuar".
Ndërtimi i pallateve për familjet e prekura nga tërmeti i kanë zënë rrugën familjeve që jetojnë në këtë zonë.
Ndërhyrja për themelet e reja ka dëmtuar dubacionin e ujërave të zeza, çka ka sjellë edhe përhapjen e tyre në oborret e shtëpive ekzistuese.
Qytetarët thonë se ndihen të rrezikuar nga infeksioniet që mund të përhapen.
"Na plasën ujërat e zeza në oborret e shtëpisë."
"Gjithë natën kam hequr ujëra të zeza me kovë."
Me këtë bllokim rruge i druhen fatkeqësive që mund tu ndodhin.
"Po ra një zjarr nga do hyjë zjarrfikësja?"
Banorët thonë se vetëm një javë më parë kanë marrë njoftimin nga Bashkia për të larguar makinat nga rruga, ndërkohë që një dokument i Bashkisë së Tiranës u ka dhënë të drejtë për të pasur akses për automjetet, por vendimi mbeti vetëm në letër.
