Lufta me kancerin vazhdon. Rezarta Reçi rrëfen ku e gjen forcën
Në emisionin “Jeto me Orën” ishte e ftuar Rezarta Reçi, një ndër gazetaret e pakta në vend që ka dhënë një fond të çmuar me intervista të shumta të personazheve që kanë bërë histori në kulturën shqiptare.
Duke u kthyer pas në kohë, ajo na tregoi me nostalgji për punën e saj në Radio Tirana dhe emocionin që ato vite i kanë falur.
“Njerëzit rrinin zgjuar deri në mesnatë për të dëgjuar emisionin. Pata fatin të kisha takimin e parë me dëgjuesit e radios në Durrës. Ishin 70 persona, erdhën me shpenzimet e tyre për të na takuar”-tha gazetarja duke gjetur rastin për t’i falënderuar sërish ata dëgjues.
Rezarta rrëfeu se i ishte shmangur emisioneve të fëmijëve pasi nuk ishte ndjerë gati, pasi sipas saj duhet një talent i veçantë për të komunikuar me vogëlushët.
Duke folur për profesionin, gazetarja përmendi se një nga pikat e saj të forta ishte komunikimi me personazhin.
“Nuk e kam tradhtuar kurrë personazhin. Nuk kam nxjerrë asgjë që personazhi nuk donte, që mund të ma kishte thënë në bisedë paraprake”.
Rezarta Reçi është autore e dy librave “Kolonë Zanore” dhe “Zhbërja” që ajo I cilëson si “ilaçi” i ditëve të saj të vështira.
Prej 19 muajsh ajo është në luftë me sëmundjen, gazetarja e mirënjohur pohoi se të shkruarit e ka mbajtur larg mendimeve të këqija.
Padyshim ajo pranoi se përkrahja dhe dashura e familjes, bashkëshortit dhe shoqërisë ishin të pakushtëzuara. “Nuk kam dashur të nënshtrohem e të quhem e sëmurë, kam dalë çdo ditë, kam lexuar libra dhe kam dëgjuar muzikë”-shtoi ajo

