“Nuk kam klikuar recetat” E zonja në profesion e shembull i qëndresës në jetë Rezarta Reçi në një rrëfim që të jep forcë

Rrugën në gazetari e nisi në radio më 1992.  Përballja në luftë me kancerin solli një tjetër dimension tek ajo të hedhur në libër.

Një shpjegim i dhimbjes rrjedh nga dashuria që ka zënë vend në zemrën e saj.  Në vitin 1993 u emërua si gazetare në Radio Tirana. Për herë të parë në televizion filloi në Durrës.

Rezarta Reçi  në një intervistë në “Jeto me Orën” rrëfeu më tepër rreth profesionit të saj si dhe mënyrën e veçantë se si u përball me sëmundjen që i kërcënonte jetën.

Teksa flet për gazetarinë dallohet qartë pasioni dhe lumturia që ky profesion i ka dhuruar e vijon ti dhurojë.

Rezarta Reçi: Kur filluan të më filmonin ata filluan të fërkonin duart, thanë kemi gjetur personin  duhur. Vazhdoj të mendoj se kur njeriu bën profesionin që dëshiron është gjë shumë e mirë. Jam e lumtur që kam bërë profesionin e gazetares së kulturës. Tani jam rikthyer në radio po radio është dashuri.  Sa herë ftoj dikë të gjithë nuk më refuzojnë, titulli i mirë dhe biseda profesionale më shërbejnë pa ulur nivelin e bisedave.

Ajo ka shkruar dhe dy libra në të cilët ka pasqyruar realitetin e jetës së saj ku mes rreshtave gjendet dhimbje  por dhe forcë e shpresë për t’ia dalë mbanë.

Rezarta Reçi: Dy librat kanë ardhur shpejt. Ka qenë proces i natyrshëm. Nëse nuk do të kisha kaluar atë periudhë, nuk do të kisha shkruar. Kam shkruar natën, kam shkruar në celular ishte një shkrim shumë i strukturuar.  Është një proces që edhe mund të më ketë lumturuar por mund të them që më ka shpëtuar nga vetja ime e keqe. “Kolona” më ka dhënë mundësi të takohem me lexues.

Rezarta tregoi dhe për ndihmesën e madhe që ka pasur nga bashkëshorti i saj por dhe njerëzit që e rrethojnë.

Rezarta Reçi: Është rrugë e gjatë. Jam njohur që në fakultet me bashkëshortin. Toleranca kalon sa nga njëra palë në anën tjetër. Unë i them, ti më do më shumë se e vërtetoi në momentin e vështirë që kisha. Më bëri të qëndroj në jetë. Mbi të gjitha kam mbështetur veten. Nuk kam dashur ti nënshtrohem sëmundjes brenda këtyre 19 muajve që luftoj me sëmundjen. Kontaktet me njerëzit, trukimin, veshjen lyerjen, ndërrimin e kam të përditshme. Dhe kur mbaroja kimjon, kam lexuar shumë dhe dëgjuar muzikë për ta mposhtur. Nuk kam klikuar recetat, thjesht kam zbatuar porositë e njerëzve dhe e kam dashur shumë veten në këtë pikë.