Tirana horizontale e vertikale, Kaprata: Model katastrofik, prodhon dëm të madh

Pedagogu, Genti Kaprata thotë se zhvillimi vertikal dhe horizontal që ka pësuar Tiranës nuk kanë aspekte pozitive por vetëm negative.

Në një intervistë për RTV ORA Kaprata u shpreh se‘problemi i Tiranës është që po i përdor të dyja mënyrat shtrirjen urbane në zona që kanë qenë bujqësore por dhe ngritje kullash në pika strategjike, historike të Tiranës dhe këto prodhojnë dëm të madh’.

Genti Kaprata: Ka dy mënyra zhvillimi qyteti, vertikale dhe horizontale. Horizontale zgjerim i qytetit duke përfshirë dhe zona të tjera që më parë nuk ishin në përdorim urban. Rritja vertikale është kur nuk zgjeron shtrirjen e qytetit por ngrihesh në kate. Problemi i Tiranës është që po i përdor të dyja mënyrat shtrirjen urbane në zona që kanë qenë bujqësore por dhe ngritje kullash në pika strategjike të Tiranës historike këto prodhojnë dëm të madh. Fatkeqësisht nuk ka anë pozitive.

Sipas tij pushteti është i përqendruar në pak duar dhe në momentin që njerëzit vijnë në Tiranë duhet ti njësohen patjetër një partie se ndryshe nuk mund të ecin përpara.

Genti Kaprata: Tirana sot ka 35% të shqiptarëve të banorëve të Shqipërisë ndërkohë që ka 1 mijë km katror. Ne pa dashjen tonë në këto 30 vite kemi zhvilluar një model katastrofik të shpërndarjes së popullsisë. Njerëzit vijnë në Tiranë dhe duhet patjetër ti njësohen një partie se ndryshe nuk mund të ecin përpara. Pushteti është i përqendruar në pak duar çka bën që kompanitë të ndërtojnë sa më shumë, e shteti ta shoh veten si pronarin e madh të ndërtimtarisë.

Sipas tij shtimi i banesave nga njëra anë dhe largimi i popullsisë jashtë vendi janë në përpjesëtim të zhdrejtë.

Genti Kaprata: Nëse 25 vitet e para iknin njerëzit nga veriu jugu dhe një pjesë nga Tirana dhe Durrësi sot dhe Tirana po humb banor, Shqipëria po boshatiset. Dhe nga ana tjetër kemi shtim të banesave, kjo tregon se ka diçka që nuk shkon. Kërkesa dhe oferta nuk shkojnë paralelisht. Nëse në Tiranë është rritur çmimi 40 për qind në një vit në Europë duhen 12 vjet.