PD në një zë: Raporti i KE damkos Ramën! Zotimi i Tabakut: S'ka vota për amnisti fiskale

PD e sheh si realist progres-raportin e KE për Shqipërinë, ku sipas tyre janë evidentuar një listë e shkeljesh mbi të cilat kjo forcë politike ka denoncuar.

Në fokus mbetet qëndrimi kundër amnistisë fiskale dhe "pasaportave të arta", të cila opozita deklaron se nuk do t’i votojë.

Tabaku: Amnistia fiskale kërkon 84 vota, këto vota nuk kanë për të ardhur nga ne.

Bumçi: Shqipëria duhet të frenohet nga zbatimi i skemës se pasaportave të arta, pasi përbën rrezik për sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit, korrupsionin dhe infiltrimin nga krimi i organizuar dhe është i papajtueshëm me legjislacionin e BE-së. 

Aldo Bumçi, nga mbështetësit e Berishës, nënvizon se Shqipëria nuk ka bërë asnjë përparim në luftën ndër korrupsionit dhe si kundërpërgjigje ndaj qeverisë i ka bërë thirrje qytetarëve të ngrihen në protestë.

Bumçi: Edi Ramës i duhet të lëshojë tepsinë dhe të kapë timonin, sepse makina e Shqipërisë, siç shihet qartë në raportin e Brukselit, është jo në drejtimin e duhur, por drejt humnerës.  Shqiptarëve u bëjmë thirrje të na bashkohen në protesta mbarë popullore. Një vend në rrezik shpëtohet vetëm duke hequr burimin e rrezikut.

Deputetja, Jorida Tabaku, nga grupimi i Enkelejd Alibeaj mbajti të njëjtin qëndrim duke u ndalur edhe tek fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Evropës, për Kosovën, të cilin e cilësoi një teatër.

Tabaku: Unë besoj që Këshilli i Europës duhet patjetër që të kalojë përtej atij fjalimit me shfaqje artistike, edhe përdorimit të sallës së Këshillit të Europës si një skenë teatri për të vazhduar me miratimin e rezolutës për Kosovën.

Teksa në deklaratat e tyre mbi raportin e progresit të Bashkimit Europian deputetët janë unanimisht kritikë, Tabaku evitoi pyetjen mbi bashkimin e demokratëve dhe bisedimeve konkrete në këtë drejtim, shumë pranë primareve që pritet të organizohen nga Sali Berisha.