PS e PD shkelën ligjin në zgjedhje/ KQZ gjobit dy partitë e mëdha, selia rozë duhet të paguajë rreth 10 mln lekë

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë shkelur ligjin sa i përket shpenzimeve në fushatën zgjedhore. Sipas raportit paraprak selia rozë ka kaluar kufirin ligjor dhe nuk ka bërë transparencë të plotë për të gjithë kandidatët. Ndërsa opozita nuk ka dorëzuar raportet për donatorët.

Në një kohë kur ndërkombëtarët kërkojnë që Palamenti të ndërmarrë nisma ligjore për të mos lejuar financimet e dyfishta tek partitë politike dhe sidomos gjatë fushatave zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën publike problemet tek të majtët dhe të djathtë. 

Pas auditimeve të bëra, janë konstuar se gjatë fushatës zgjedhore për kuvendin e 25 prillit të 2021 Partia Socialiste ka shpenzuar më shumë para se sa e lejon Kodi Zgjedhor.

Nga buxheti i shtetit selia rozë ka marrë rreth 56 milionë lekë, ndërsa në fushatë ka hedhur rreth 176 milionë lekë.

Por sipas ligjit një partie politike mund t’i lejohet një vlerë jo më e madhe se 3 herë më shumë nga fondet e dhëna nga buxheti i shtetit.

Për këtë shkak, KQZ mund ta gjobisë PS me 5 milionë lekë, por ka edhe një klauzolë tjetër ku shpjegohet që gjoba do të jetë e barabartë më shumën që ka kaluar kufirin, çka mund ta çojë deri në 9 milion lekë.

Por socialistët nuk janë mjaftuar vetëm më këtë shkelje, pasi sipas KQZ mazhoranca nuk ka dorëzuar raportet për 17 kandidatë të listave shumëemërore në zgjedhjet parlamentare.

Edhe këtë fshehje PS do të duhet ta paguajë me një gjobë me vlerën 500 mijë deri në 1 mln lekë.

Ndërsa selia blu nuk e ka kaluar kufirin e vlerës monetare që lejon ligji për fushatë, por nuk ka dorëzuar në KQZ raportet e 69 kandidatëve të listave shumëemërore si dhe në raportet e kësaj partie mungojnë deklaratat e donatorëve mbi konfliktin e interesit për financimin.

Kjo neglizhencë me apo pa dashje do t’i kushtojë PD 500 deri në 1 mln lekë, edhe pse mbetet për t’u parë se kush do t’i paguajë, Berisha që ka selinë, apo Alibeaj që ka ende vulën e lënë nga Basha.