Misteri në Korçë, gruaja akuzon fqinjin se ka abuzuar me të birin me aftësi ndryshe, i akuzuari e mohon, i del në mbrojtje dhe fshati
Policia e Korçës ka referuar materialet për vlerësim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë lidhur me një kallëzim të bërë me 12 nga shtetasja Ativie.Q, 55 vjeçe, banuese në fshatin Porodinë, e cila pretendon se 4 muaj më parë, shtetasi Dionis. M, 40 vjeç, i ka ngacmuar seksualisht djalin e saj me aftësi ndryshe.
Kjo ngjarje nuk është raportuar më parë në Polici, nga familjarët e djalit.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Çfarë dihet
Mësohet se nëna e djalit ka pasur konflikt me 40-vjeçarin, me të cilin janë fqinj për vijën e ujit disa muaj më parë. Konflikti është zgjidhur nga njësia administrative.
Gruaja ka bërë kallëzim ndaj komshiut duke pretenduar se ka parë 40 vjeçarin duke i prekur para shtëpisë djalin e saj me aftësi ndryshe.
Sipas saj, komshiu e ka rrahur dhe abuzuar seksualisht me djalin e saj.
Ajo shton se ai në mënyrë periodike ka ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj tyre.
Ajo pretendon se policia ka qenë në dijeni të kësaj ngjarje por nuk ka vepruar.
Sipas saj gjithçka ka ndodhur 4 muaj më parë dhe se ndihet e frikësuar për veten dhe të birin.
Policia ka referuar materialet në prokurori por 40-vjeçari nuk është proceduar për shkak të mungesës së elementëve të veprës penale, të cilat pritet ti vlerësojë më tej prokuroria.
40-vjeçari dhe e ëma e tij mohojnë akuzat

Nga ana tjetër e ëma e 40-vjeçarit ka hedhur poshtë çdo akuzë duke thënë se djali i saj asnjëherë nuk e ka zhveshur apo goditur djalin e Ativies apo edhe vetë këtë të fundit.
Nevruze. M shton se denoncimi në polici është i pabazë dhe se gjithçka është e stisur.
Po kështu dhe vetë Dionis. M, i akuzuari për ngacmim të një djali me probleme të shëndetit mendor, mohon akuzat.
"Nuk pranoj asnjë prej akuzave, komshinjtë e mi kanë probleme mendore, jam gati të vijë policia dhe të hetojë gjithçka. Në rast se vërtetohet edhe gjëja më e vogël mund të më varni në mes të fshatit. Më është dëmtuar imazhi, jam babai i tre fëmijëve që kanë frikë të dalin nga shtëpia sepse ajo familje i godet me gurë. Turp për policinë e cila nuk merr masa dhe dëmton imazhin e një njeriu të thjeshtë si unë.
Reagojnë dhe bashkëfshatarët

Në mbrojtje të tij kanë dalë banorët e fshatit, të cilët në shenje proteste janë shprehur:
"Ai është një djalë i mirë, nuk është fare problematik dhe nuk ka bërë asgjë nga këto që thotë ajo familja. Ajo familje është e shkatërruar dhe me probleme mendore. Kërkojmë që të zbardhet ngjarja, për këtë arsye jemi të gjithë këtu në mbështetje të tij".