PD: Rama dëmtoi Kosovën dhe turpëroi Shqipërinë si kryeministër në moment delikat

Partia Demokratike reagoi zyrtarisht për fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Këshillit të Europës.

Zëdhënësja e PD, Floriana Garo tha se Edi Rama turpëroi Shqipërinë me fjalimin e tij, por edhe dëmtoi Kosovën në momentin delikat kur pritet anëtarësimi i saj në KiE.

Pjesë nga deklarata

Ne pamje të parë patriotik, por në esencë antishqiptar, Rama foli sikur te ishte Lukashenko i Bjellorusise. Kryetari i një republike me rekord të zi në të drejtat e njeriut, media dhe demokraci. Në këtë kuptim i foli subkoshienca. 

Ai turpëroi Shqipërinë si kryeministër dhe dëmtoi Kosovën si aleat, ne momentin me delikat të anëtarësimit të saj në Këshillin e Europës.

Ai foli si përfaqësues tipik, jo i një vendi anëtar, por i narkoshtetit të parë dhe të vetëm ne Europë.

Taktika e tij ishte e qartë: le të flasim për një çështje të cilën nuk e ndryshoj, dhe as nuk ma var njeri, për të shmangur sikletin e ballafaqimit për vendin të cilin drejtoj.

Nëse Rama nuk do të ishte zgjatur në një fjalim megalo-maniak për gjendjen e universit, parlamentarët e Strasburgut do ta pyesnin për sigurinë në vend, shpopullimin, korrupsionin, krimin etj.

Falë kësaj piruete ai shmangu sikletosjen në Tiranë, por u turpërua dy herë.

Sepse, për shqiptarin turpërimi në sy të botës është dy herë turp.

Këtë turp e faqe të zezë e pasqyron akti i pashembullt, bojkoti që iu bë darkës së tij, ndonëse kryeministër i një vendi anëtar i Këshillit të Europës, dhe vendi anëtar të NATO-s, dhe që ka hapur negociatat me BE, nga Komiteti Presidencial dhe grupi me i madh parlamentar i Asamblesë.

Edi Rama nuk turpëroi vetëm veten. Duke qenë se ai ishte atje si kryeministër i Shqipërisë, bën me turp të gjithë shqiptarët. Një turpërim i tillë nuk është regjistruar ndonjëherë në kujtesën 73-vjeçare të Këshillit të Europës.

Por, dihet tashmë se Rama dhe shpura e tij nuk kanë turp. Kjo dukej edhe në nurin e Elisës që shkëlqente kur Skënderbeu i saj, pasi kish magjepsur Parisin, po marroste Strasburgun.