"Darka e gabuar e Ramës", Partitë Popullore Europiane të fyera nga deklarata e tij

Pas kritikave të ashpra për deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, ka reaguar Presidenti i Partive Popullore Europiane Aleksander Pociej, i cili njoftoi se si shkak i ndërhyrjeve të Ramës në Asamble, është marrë vendimi për të anuluar një darkë punë të planifikuar.

Në deklaratën e tyre anëtarët e PPE-së u shprehen se nuk marrin pjesë në darkë pasi u ndien të fyer nga deklarata e bëra nga kryeministri Edi Rama.

Lidhur me këtë vendim do të reagonte edhe Kryedemokrati Sali Berisha duke u shprehur se vizita dhe fjalimi i Ramës ishte skandaloz, ndërsa thekson përgjigjet e tij ishin idioteske dhe trashanike.

 “Skandaloze vizita dhe fjalimi i Ramës në Asamblenë Parlamentare të KiE. Rama flet si Kastro 1 orë në Asamblenë Parlamentare të KE. Përgjigjet e pyetjeve të anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të KiE, idioteske dhe trashanike. Presidenca e Këshillit të Europës refuzon të marrë pjesë në darkën e tij," tha ai.

"Grupi parlamentar EPP/DC, që është dhe grupi më i madh i Asamblesë vendos bojkotin e darkës së shtruar nga Rama. Turpërim i vërtetë!”, u shpreh kreu I PD-së, Sali Berisha.

Nisur nga efekti që shkaktoi refuzimi i grupimit më të madh të Asamblesë Parlamentare të KiE, kryeministri Rama zgjodhi t’i përgjigjej pas 24 orëve.

Rama thotë se nuk ke si ndjehesh mirë kur dëgjon histori horrori dhe sajesash për trafik organesh.

Ndërkohë ai u është përgjigjur edhe deklaratave të bëra nga përfaqësuesit e opozitës në Shqipëri, duke theksuar se e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra.