Raporti i Dick Marty/ Shqipëria i kërkon Strasburgut rishqyrtimin e rezolutës, VOA: Rruga e gjatë dhe e vështirë
Shqipëria i kërkoi Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që të rishqyrtojë rezolutën e mbështetur në raportin e të dërguarit Dick Marty, sipas saj të pabazuar dhe të paprovuar, ku shprehen pretendime se ish drejtues të UÇK-së të jenë përfshirë gjatë luftës së vitit 1999 në trafikim organesh njerëzore, i shtrirë edhe në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama theksoi në fjalën e tij sot para Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës se spastrimi etnik i Milosheviçit në Kosovë shkaktoi mijëra të vrarë e të zhdukur dhe qindra mijëra të shpërngulur.
Zëri i Amerikës mëson s e përveç këtyre deklarimeve të kryeministrit Rama, Shqipëria duhet të ndjekë disa procedura konkrete për të vënë në lëvizje Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Hapi i parë është paraqitja e një mocioni për Rezolutë. Këtë Shqipëria mund ta bënte qysh tani në kuadër të këtij sesioni të Asamblesë, por “Zëri i Amerikës” ka mësuar zyrtarisht se ende nuk është paraqitur një kërkesë e tillë.
Kërkesa, sipas rregullit, merret në shqyrtim nga Byroja parlamentare, e cila verifikon nëse është në respekt të procedurave të saj. Më pas ia kalon një prej Komiteteve të saj, i cili mund të caktojë dy relatorë për të hartuar një raport.
Ky dokument do të duhet të miratohet po nga Komiteti për t’u përfshirë në rendin e ditës së Asamblesë, ku do të duhen dy të tretat e votave. Rruga pritet të jetë e gjatë dhe e vështirë, madje deri tani nuk rezulton që Asambleja Parlamentare të jetë përballur më parë kërkesa për rishikimin e rezolutave të saj.
