"PD: Qeveria dështoi me turizmin" Zhupa interpelancë me ministren Kumbaron: Jep dorëheqjen!
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka akuzuar ministren e turizmit Mirela Kumbaro se është përgjegjëse për mungesën e sigurisë në plazhet e vendit duke shkaktuar tragjedi të shumta të cilat kumuan me tragjedinë e Potamit. Zhupa u shpreh se Kumbaro shmang problemet konkrete në jug të vendit.
Tragjeditë e shënuara gjatë stinës së verës dhe dështimi i strukturave të qeverisë për sigurimin e një sezoni të suksesshëm turistik, që kulmuan me ngjarjen e rëndë të Potamit ishin kryefjala e opozitës në përballjen me ministren e turizmit Mirela Kumbaro.
Nga foltorja e Kuvendit deputetja demokrate e Qarkut të Vlorës Ina Zhupa deklaroi se Kumbaro duhej të ishte dorëhequr pas atyre ngjarjeve që tronditën mbarë shqiptarët dhe e akuzoi atë si personi përgjegjës për sigurinë e ulët të plazhet e vendit.
“Të gjithë e mbani mend vrasjen në Himarë. A kishte përgjegjësi Mirela Kumbaro. Në një shtet tjetër do isha duke bërë interpelancë me ministër tjetër se Mirela Kumbaro do të kishte dhënë dorëheqjen.
Ministrja është përgjegjëse për dhënien e licensave për stacionet e mjeteve, për rrethimin e perimetrit. Nëse do ishin kryer këto, a mendoni se do ishte kryer ajo tragjedi?” deklaroi Zhupa.
Në replikë, Mirela Kumbaro zgjodhi ti shmangej dhënies së llogarisë, ndërsa foli për sukseset botërore që Shqipëria shënoi si pasojë e politikave të qeverisë që ajo përfaqëson.
“U rritën dhe rezervimet nga Korfuzi. Nga porti i Sarandës kanë ardhur 32 mijë vizitorë. Prenotime në hotelet e Sarandës dhe të Ksamilit janë shumë të larta. Në periudhën korrik-gusht ishin të zëna në masën 100%.
Në Sarandë dhe Ksamil ka rreth 900 struktura akomoduese, 25 mijë shtretër. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kemi një rritje të numrit të turistëve,” tha ajo.
Por interpelanca e kërkuar nga deputetja e PD-së do të vijonte, pasi kjo e fundit akuzoi Kumbaron se po i shmangej problematikave të ngritura.
“Kumbaro nuk ka ardhur këtu për të pranuar fajin. Në asnjë pjesë të fjalimit nuk foli për problemet konkrete të Sarandës. Por dua të qëndroj tek ajo që është plagë për të gjithë. Rreth 1400 plazhe janë dhënë private.
Siç e thotë edhe kontrolli i Lartë i Shtetit që duhet vendosur një raporti i drejtë mes plazhit publik dhe atij privat dhe të prevalojë interesi publik. Por këtë ju nuk e bëni edhe pse e keni detyrë themelore,” tha Zhupa.
Ndërkaq, Ina Zhupa do të përplasej edhe me ministren e Arsimit Evisa Kushi, të cilës i kërkoi që të ndihmojë studentët përmes përfshirjes së tyre në paketën e rezistencës që qeveria miratoi si masë për përballimin e krizës ekonomike që ka përfshirë vendin prej muajsh tashmë.