Rama: UÇK-në e sulmoi Kremlini, Shqipëria i kërkon Strasburgut rishqyrtimin e rezolutës për raportin e Dick Marty

Raporti i Dick Marty kundër UÇK, për kryeministrin Edi Rama është prodhuar në Kremlin dhe më pas ka arritur në Europë, duke u marr si fakt në një kohë që nuk ka asnjë provë për tarfik organesh. Nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Europës, kreu i qeverisë shqiptare u bëri thirrje përfaqësuesve të këtij institucioni të rrëzojnë rezolutën bazuar mbi raportin e Dick Martyt e të njohin Kosovën. Ai replikoi me përfaqësuesen serbe në Asamble.

Rezoluta e Parlamentit shqiptar që e konsideron të pavërtetë raportin e Dick Marty se Kosova ka kryer trafik organesh gjatë luftës së viteve 1998-1999 u dërgua të mërkurën (12 tetor 2022) në Këshillin e Evropës nga kryeministri Edi Rama.

Para Asamblesë së Përgjithshme, Rama tha se deklaratat në raportin që u publikua në vitin 2011 janë të rreme dhe të tmerrshme.

 “Jam sot në 2022 këtu. Jo sepse ne zbuluam sot se ishte lajmi më i tmerrshëm i rremë, por sepse pritëm me durim derisa pamë akuzën zyrtare. Kështu që shpresoj të kuptoni seriozitetin e gjithë kësaj. Pretendimet tërësisht të pavërtetuara nga një ish-prokurore e pushtetshme. Bazohej në burime të dyshimta. Pasi lënë punën, publikojnë libra dhe bëjnë histori të pavërteta për të rritur shitjet.”

Kryeministri i Shqipërisë foli dhe mbi arrestimin e krerëve të UÇK-së për akuzat për trafik organesh gjatë kohës së luftës, duke i cilësuar si një fantazi.

 “U krijuan Dhomat e Specializuar që çuan në arrestimin e ish krerëve të UÇK. Imagjinoni liderin e vendin tuaj që merret nga zyra e tij dhe merret nën mbikqyrje e vihen nënë arrest pa asnjë aktakuzë reale.Është një çështje që nuk ekziston dhe kjo është pse jam këtu sot, sepse pritëm me durim nëse do të dilte diçka. Është një fantazi e fabrikuar në Kremlin dhe e kontrabanduar në kanalet e politikës ndërkombëtare dhe e sjellë në tempullin e të drejtave të njeriut.”

Ndërkohë disa prej parlamentarëve të pranishëm, kryesisht nga vende që nuk e njohin Kosovën, e cilësuan fjalimin e Ramës si të tepruar.

Një prej kritikëve më të fortë ishte përfaqësuesja nga Serbia e cila tha se raporti është i Këshillit të Evropës dhe jo serb apo rus.

Rama iu përgjigj që asnjë fjalë nuk do të hiqte nga ato që tha.

“Unë pretendoj se jap të vërtetën e kombit tim, që e përfaqësoj me krenari. Vëreni veten mbi çdo shqiptar që përballen me këtë paragjykim, që shqiptarët edhe kur luftojnë me armiqtë merren me trafikun e organeve njerëzore. Nuk tërheq asnjë fjalë nga ajo që thashë. Nëse doni ndonjë debat jam i lumtur të rikthehem”.

Kryeministri shqiptar u zotua se nuk do të heqë dorë nga rezoluta kundër Dick Martyt, ndërsa u bëri thirrje vendeve që nuk e njohin Kosovën ta bëjnë atë për veten dhe Evropën që po përballet me luftën e shëmtuar.

"Me një qëllim të mirë është bërë një vepër shumë e shëmtuar dhe është bërë një gabim shumë tragjik. Jam i bindur që çdo gjë do të shkojë në vendin e duhur sepse e vërteta shkon gjithmonë në vendin e duhur."