S'ka bashkim pa lënë vulën, Boçi thirrje grupit të Alibeajt: Futuni në primare dhe tërhiqni ankimimin
Nga selia blu sa vijnë e shtohen sinjalet e bashkimit të demokratëve në një kohë që vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve vendore. Kushti i vetëm për dhënien fund të përçarjes më të madhe të kësaj partie, është që grupi që mbështet Enkelejd Alibeajn të pranojë t’i nënshtrohet oprimareve që pritet të shpallë PD-ja nën drejtimin e Sali Berishës.
Demokratët nuk i ndalin mesazhet ndaj njëri-tjetrit për ribashkimin e tyre përpara shpalljes së datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore nga Presidenti i Republikës.
Nënkryetari Lulçiano Boçi thotë se pavarësisht se në ç’nivele janë bisedimet midis kampeve të demokratëve, vërtetësia e atyre që njihen ndryshe si grupi i Alibeajt, duhet të konkretizohet me tërheqjen e ankimimit të vendimit të gjykatës lidhur me çështjen e vulës së Partisë.
"Kur ka deklarata dashamirëse për bashkim e bisedime ne jemi të hapur dhe i mirëpresim sepse i shërben bashkimit të demokratëve, por duhen shoqëruar dhe me veprime reale konkrete. Bisedimet duhet të shoqërohen me tërheqjen e ankimimit bashkë me angazhimin real konkret dhe të deputetëve të grupeve të punës politike për zgjedhjet lokale," tha ai.
Fryma e bashkimit prej javësh tashmë është shndërruar në një metaforë ku të gjithë aktorët në Partinë Demokratike nuk e kursejnë në artikulimin e tyre, por asgjë konkrete nuk lëviz në këtë drejtim.
E gjithë kjo situatë duket se po I shkakton kosto organizimit të aksionit opozitar, për t’ju përgjigjur asaj që qytetarët presin nga opozita në këtë periudhë të rëndë krize të gjithëanshme ekonomike dhe sociale.
Edhe për këtë Boçi e ka një përgjigje.
"Marrëdhënia me PL është fare e qartë, jo tërhiqe- mos e këput. NUk është përjashtuar asnjë protestë kombëtare apo lakle, do të jenë të mëdha, simbolike e mesazhe të qarta," tha ai.
Për nënkryetarin e demokratëve, marrëdheniet me Partinë e Lirisë janë aleanca për të shkuar në zgjedhjet e ardhme me kandidatë të përbashkët që do të hyjnë në garën për bashkitë.