Historia e dashurisë çon në tragjedi, tre viktima dhe dy të plagosur rëndë pas masakrës në Klos
Tre viktima dhe dy të plagosur në gjendje të rëndë, është bilanci është një ngjarje tragjike në Klos, shkak i të cilës dyshohet se u bë një lidhje e kundërshtuar mes dy të rinjve. Fiqiri Mjeshtri, vrau babë e bir, Ilir e Kenardo Shirën, ndërsa la të plagosur Englantin e Renato Hasulën, po ashtu babë e bir. Pas krimit i dha fund jetës me të njëjtën armë.
Një histori dashurie u kthye në burim tragjedie. Një 17-vjeçari dhe të atit i kushtoi jetën.
Dy të tjerë mbetën të plagosur pa faj. Autori i masakrës u vetëvra.
Kjo ishte ajo që ndodhi në harkun e pak minutave në Klos.
E gjitha kishte nisur nga një lidhje e kundërshtuar mes të dy të rinjve.
17-vjeçari Kenardo Shira, sipas të dhënave, pëlqente dhe kishte ngacmuar vajzën e Fiqiri Mjeshtrit, personit që shihni në këtë foto.

Familja e këtij të fundit nuk ishte dakord dhe të mërkurë kishin lënë takim me adoleshentin dhe babanë e tij.
Fiqiri Mjeshtri kishte marrë me vete vellezërit Besnik dhe Fatmir Mjeshtrin.
Ndërsa në krah Kenardo dhe Ilir Shirës, ishin babë e bir Englantin e Renato Hasula, përkatësisht 39 dhe 14 vjeç.
Kafja e pajtimit mes fiseve nuk shkoi siç pritej.
Palët fillimisht u konfliktuan me fjalë në këtë lokal në mes të qytetit.
Shkak mësohet se u bë refuzimi i 17-vjeçarit për ta zyrtarizuar dashurinë në martesë.
Kur dolën prej aty, 39-vjeçari Fiqiri Mjeshtri sulmoi me pistoletë.
Plumbat i morën jetën në vend 17-vjeçarit Kenardo Shira, ndërsa i ati 46 vjeçar ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve.
Babë e bir Englantin e Renato Hasula ndërkohë mbetën të plagosur rëndë dhe po trajtohen në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Pas krimit, tre anëtarët e fisit Mjeshtri u larguan me shpejtësi dhe kur u lokalizuan nga policia në fshatin Dars, aty 39-vjeçari Fiqiri Mjeshtri u dha fund jetës me të njëjtën armë.
Dy vëllezërit që akuzohen si bashkëpunëtorë në krim, u vunë në pranga.
Me tre viktima dhe dy të plagosur, ngjarja në Klos është një prej krimeve me bilancin më të rëndë për këtë vit e nisur nga konflikte familjare.
Për të shmangur një përplasje të re mes dy fiseve, në Klos u vendosën forcat Speciale të Policisë së Shtetit.
