Kievi ndalon eksportet e energjisë elektrike për shkak të sulmeve me raketa ruse

Ministria e Energjisë e Ukrainës ka njoftuar se do të pezullojë eksportet e energjisë elektrike në Bashkimin Evropian pas sulmeve të sotme me raketa ruse në infrastrukturën energjetike.

“Sulmet e sotme me raketa, të cilat goditën termocentralet dhe nënstacionet e shpërndarjes së energjisë elektrike, detyruan Ukrainën të pezullojë eksportet e energjisë elektrike nga 11 tetori 2022 për të stabilizuar sistemin e brendshëm të energjisë”, tha ministria në një deklaratë të postuar në faqen e saj të internetit.

Rusia nisi sot breshërinë e saj më të madhe të sulmeve raketore kundër Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus, në atë që i forti i Kremlinit Vladimir Putin tha se ishte hakmarrje për sulmin e fundit në urën strategjike që lidh Rusinë me gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko, tha se sulmet ndaj sistemit energjetik ishin "më të mëdhenjtë që nga fillimi i luftës".

Në qershor, ministria e energjisë e Ukrainës tha se shpresonte të fitonte 1.5 miliardë euro nga eksportet e energjisë elektrike në BE deri në fund të vitit.

Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt. Ajo ka mohuar vazhdimisht sulmet ndaj objektivave civile.