Kremlini rrit sigurinë pas hedhjes në erë të pikës lidhëse në Krime, Zelenski: Ishte ‘ngrohtë’ në Krime
Propaganda ruse se gjithçka po shkon mirë në operacionin special është rrëzuar për tokë pas shpërthimit të urës së Krimesë. Ndërsa Kremlini nuk i di ende faktet e shpërthimit të urës ka rritur vigjilencën për shpërthime të tjera.
Shpërthimi dhe më pas shembja e urës në Krime ka detyruar Moskën që të ndërmarrë hapa për të rritur sigurinë e vendit.
Presidenti Putin urdhëroi Shërbimin Federal të Sigurisë të mbikëqyrë urën e shembur në gadishullin e aneksuar.
Si pasojë e shpërthimit u vranë tre persona sipas hetuesve rusë, për shkaqe ende të panjohura.
Zyrtarët thanë se puna për rregullimin e pjesëve të dëmtuara do të fillojë menjëherë.
Zëvendëskryeministri rus urdhëroi që pjesët e shkatërruara të urës të hiqen menjëherë dhe tha se zhytësit do të fillojnë të hetojnë dëmet poshtë vijës ujore të dielën në mëngjes.
E përshëndetur nga mediet ruse si "ndërtimi i shekullit", ura ka qenë vendimtare për Rusinë për lëvizjen e pajisjeve ushtarake, municionit dhe trupave në Ukrainën jugore.
Ura u hap me bujë nga Kremlini katër vjet pasi Krimea u aneksua nga Rusia.
Meqenëse ura luan një rol strategjik në luftë, autoritetet ukrainase janë shprehur të kënaqur me vendimin pasi zotohen që ta rimarrin gadishullin.
Presidenti Zelenski e përgëzoi shpërthimin e urës indirekt edhe pse asnjë nuk e ka pranuar drejtpërdrejt se Kievi qëndron pas incidentit.
Zelenski: Sot nuk ishte një ditë e keqe dhe kryesisht kishte diell në territorin e shtetit tonë. Fatkeqësisht, kishte vranësira në Krime edhe pse megjithatë ishte ngrohtë.

