Shpërthimi i urës në Krime, konfirmohen tre viktimat e para, reagojnë zyrtarët ukrainas

Tre persona humbën jetën në shpërthimin në urën rrugore dhe hekurudhore që lidh Rusinë me Krimenë, tha Komiteti Hetues i Rusisë.

Ata besohet të jenë pasagjerë të një makine që ishte pranë një kamioni për të cilin Rusia thotë se shpërtheu pak pas orës 06:00 me orën lokale të mëngjesit të së shtunës dhe çoi në djegien e cisternave të naftës në seksionin hekurudhor.

"Trupat e dy prej viktimave, një burri dhe një gruaje, tashmë janë nxjerrë nga uji dhe identitetet e tyre janë duke u përcaktuar," shtoi komiteti.

Ai thotë se hetuesit kanë gjetur detaje të kamionit dhe pronarit të tij - të regjistruar në rajonin jugor të Krasnodar të Rusisë - dhe një kontroll në shtëpinë e tij është duke u zhvilluar në këto momente.

Ura u ndërtua në vitin 2018 dhe ishte një simbol i aneksimit të paligjshëm të Rusisë.

Një këshilltar i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Mykhailo Podolyak, nuk u shpreh drejtpërdrejt mbi përgjegjësinë e Ukrainës, por shkroi: "Krimeja, ura, fillimi."

"Çdo gjë e paligjshme duhet të shkatërrohet, gjithçka e vjedhur duhet të kthehet në Ukrainë, gjithçka e pushtuar nga Rusia duhet të dëbohet."

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës e krahasoi shpërthimin e urës me fundosjen e kryqëzorit të raketave ruse Moskva në prill.

“Dy simbole famëkeqe të fuqisë ruse në Krimenë ukrainase janë rrëzuar”, shkruhej në Twitter. "Çfarë vjen më pas në radhë?"

Ministria e Jashtme ruse tha se "reagimi i regjimit të Kievit ndaj shkatërrimit të infrastrukturës civile është një dëshmi e natyrës së tij terroriste."