Nuk ndalen protestat në Iran, mbi 150 të vdekur
Mbi 150 persona, kryesisht vajza të reja, kanë humbur jetën nga protestat në Iran. Protestat filluan si shenjë solidariteti për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila u arrestua nga policia pasi kishte veshur hixhabin e saj në mënyrë të pahijshme.
Prej javësh Irani është përfshirë nga protestat masive, të cilat sa vijnë e përshkallëzohen nga përdorimi i dhunës nga ana e anëtarëve të regjimit iranian. Mbi 150 persona kanë vdekur dhe qindra janë arrestuar nga protestat në Iran.
Studentë të universiteteve dhe nxënës të gjimnazeve, kryesisht vajza kanë protestuar për disa ditë me radhë në disa zona të Iranit. Formë e revoltës studentore është kthyer djegia e shamive që detyrohen t'i mbajnë gjithmonë, në shenjë kundër ndaj ligjeve të hixhabit dhe vrasjes së Mahsa Amini, e cila u arrestua në shtator për "hixhabin e pahijshëm".
Ndërkohë, aktivistët iranianë kanë bërë thirrje për përshkallëzim të protestave nëpërmjet rrjeteve sociale, ndërsa pritet që këtë të shtunë të ketë protesta ndërkombëtare.
Parlamenti Evropian dënoi të enjten vdekjen e Mahsa Aminit, vajzës së 22-vjeçare e cila ndërroi jetë ndërsa ishte në paraburgim policor, dhe kërkoi sanksione të BE-së kundër policëve të përfshirë në vrasjen e saj dhe atyre që u përfshinë në shuarjen e protestave në rrugë që pasuan. Gjithashtu Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj shtatë zyrtarëve iranianë për mbylljen e aksesit në internet dhe shtypjen e protestuesve paqësorë.
Qeveria iraniane i ka përshkruar protestat si një komplot nga armiqtë e Iranit, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke akuzuar disidentët e armatosur për dhunë, në të cilën janë raportuar të paktën 20 anëtarë të forcave të sigurisë të vrarë.
