Zbulohet pronari i kamionit me eksploziv që shpërtheu urën e Krimesë
Nuk dihet ende identiteti i drejtuesit të kamionit me eksploziv që shpërtheu në urën e Kerçit në Krime në orët e para të së shtunës, ku humbën jetën tre persona.
Në të njëjtën kohë mediat ruse raportojnë se është gjetur pronari i kamionit dhe quhet Boris Yusobov.
Ai është me origjinë nga Krasnodar dhe thuhet se ia ka shitur automjetin një personi tjetër, i cili nuk e ka ndryshuar emrin e pronarit.
Pra ai shfaqet ende si pronar i mjetit.
“Hetuesit e Komitetit Hetimor identifikuan pronarin e kamionit si banor i Rajonit Krasnodar. Hetimet po kryhen në vendbanimin e tij”, thuhet në deklaratën përkatëse të lëshuar nga autoritetet ruse.
Një pikëpyetje e madhe është identiteti i autorit të sulmit. Ata që ishin përgjegjës kontrollonin normalisht kamionin.
Gjatë kontrollit të shkurtër, autoritetet nuk kanë vërejtur asgjë të dyshimtë dhe mjeti është nisur normalisht.
Megjithatë, pak minuta më vonë, kamioni shpërtheu teksa ata ishin në lëvizje.
Për momentin nuk dihet nëse shoferi ishte në një mision vetëvrasës apo nuk dyshonte se automjetit të tij i ishte montuar një sasi e madhe eksplozivi.
Rikthehet qarkullimi i kufizuar i automjeteve në korsitë e padëmtuara
Është rikthyer qarkullimi i kufizuar i automjeteve në korsitë që nuk u shkatërruan nga shpërthimi i mëngjesit në Urën e Krimesë, njoftoi Ministria ruse e Transportit.
Më herët u bë e ditur se Ministria ruse e Transportit kishte njoftuar se së shpejti do të rikthehet qarkullimi rrugor në korsitë e urës së Krimesë që nuk u dëmtuan nga shpërthimi i ndodhur mëngjesin e sotëm.
Sipas të njëjtës ministri, qarkullimi do të kufizohet vetëm në kalimin e urës në drejtime alternative.
Kievi po feston
Mykhailo Podoliak, një këshilltar i presidencës ukrainase, theksoi në Twitter, duke iu referuar raporteve kontradiktore për një shpërthim ose zjarr sot që dëmtoi urën që lidh kontinentin rus me gadishullin ukrainas të okupuar të Krimesë, se ky është vetëm "fillimi", pa thënë megjithatë drejtpërdrejtë se Ukraina po merr përgjegjësinë.
"Gjithçka e paligjshme duhet të shkatërrohet, gjithçka e vjedhur duhet t'i kthehet Ukrainës, Rusia duhet të dëbohet nga gjithçka që zotëron," tha Mykhailo Podoliak.
Në të njëjtën kohë, Oleksiy Danilov, zyrtari më i lartë i sigurisë dhe mbrojtjes i Ukrainës, shkroi:
"Mirëmëngjes Ukrainë!", në një postim të shoqëruar me një video të zjarrit në urën e Kerçit pranë Marilyn Monroe duke kënduar "gëzuar ditëlindjen zoti President", në një referencë të qartë për ditëlindjen e Putinit.
Gjithashtu, një zyrtar ukrainas, pa konfirmuar - por duke mos mohuar - se forcat e Kievit ishin pas shpërthimit, i tha New York Times:
“Putini duhet të jetë i lumtur. Jo të gjithë marrin një dhuratë kaq të shtrenjtë në ditëlindjen e tyre.
Ura e Krimesë
Ura u përurua personalisht nga Presidenti Vladimir Putin në vitin 2018, katër vjet pasi Rusia aneksoi gadishullin ukrainas. Projekti kushtoi miliarda. Përdoret kryesisht për transportimin e pajisjeve ushtarake për ushtrinë ruse që vepron në Ukrainë.
Prandaj, përveçse simbolike, ka edhe një rëndësi të madhe strategjike, pasi lidh gadishullin e Krimesë me rrjetin e transportit dhe komunikimit të Rusisë.
Sipas agjencive të lajmeve të vendit, pjesa e urës që përdoret nga makinat është dëmtuar.
Kohët e fundit, Rusia ka siguruar që ura është e sigurt pavarësisht luftës, por në të njëjtën kohë ka kërcënuar Ukrainën me hakmarrje nëse forcat e saj tentojnë ta shkatërrojnë.
