Vula te Berisha? Çollaku: Do jem në PD zyrtare. Nëse Tirana nuk zgjidh sherrin, kandidatët t'ja lërë bazës

Deputetët demokratë, jashtë grupimit të Rithemelimit, janë me sytë nga gjykata për të vendosur se si do të pozicionohen për betejën me Edi Ramën në zgjedhjet vendore.

Çollaku: Ka vetëm një PD dhe do ketë një PD. Ka dy palë që kontestojnë legjitimitetin e PD. Të gjithë jemi duke pritur vendimin e Gjykatës së Apelit, ajo do të përcaktojë kush do jetë përfaqësimi legjitim i PD.

Kreshnik Çollaku i ftuar në Ora News me gazetarin Everest Dedaj thotë se mungesa e një vendimi para lokaleve nga gjykata do të ishte katastrofale.

Çollaku: Do të ishte një katastrofë. Unë nuk besoj, ka një lajmërim për datën 3 nëntor.

Dedaj: Është tjetër vendim, bëhet fjalë  për regjistrimin e ndryshimeve të korrikut.Nuk ka lidhje me Apelin.

Çollaku: Në rast se për ndryshimet e korrikut pranohet regjistrimi, Apeli bëhet i qartë. Nëse regjistrohen i bie që është i pavlefshëm vendimi i Zhukrit. Por të presim gjykatat, legjitimitetin e strukturave do ta përcaktojë gjykata. Siç respektuam vendimin e parë, do respektojmë të dytin. Jam i gatshëm të respektoj atë verdikt, do njoh si PD zyrtare atë që do përcaktojë gjykata dhe ajo do jetë PD.

A e bashkon kjo PD dhe e bën gati për zgjedhje? Jo. Duhet një punë e stërmadhe për ta bashkuar realisht PD, për ta bërë emergjencë qytetare kombëtare që PD të përfaqësohet me një kandidat dhe të mos shkojmë në gara të shëmtuara si ajo e 6 marsit ku bënim gara kush do të dilte i dytë apo i tretë dhe në fakt fitoi Edi Rama.

Për të shkuar drejt një bashkimi thotë se nuk ka kohë, por nëse ka vullnet nuk është e pamundur.

Çollaku: Kohë nuk ka, por kemi ende një mundësi në rast se ka vullnet që të shkojmë në këto zgjedhje të unifikuar me një kandidat të PD.

Nëse vula i mbetet Sali Berishës, ai thotë se do të qëndrojë në PD porse qëndrimi i tij lidhur me sanksionin amerikan ndaj liderit historik të demokratëve nuk ndryshon.

Çollaku: Unë do të qëndroj ku të jetë sigla zyrtare e PD. Në rast se vendimi i gjykatës do njohë Rithemelimin si strukturë legjitime i bie që gjykata të njohë dhe Sali Berishën si kryetar i zgjedhur strukturat e Rithemelimit. Unë do të jem në PD. Bindja ime nuk ndryshon. Edhe atje do them bindjen time.

Me gjithë vlerësimin  personal për Sali Berishën si figura më e rëndësishme, si njeri me kontribute në PD, patjetër dhe me defektet e tij, problematika që unë kam nuk ka lidhje me zotin Berisha por me sanksionin që ka.

Problematika që do të ketë në atë rast PD nuk do të jetë e Sali Berishës individualisht, do të jetë e një kryetari të sanksionuar nga SHBA. Kjo do ta çojë përfundimisht në kursin zyrtar të PD në përplasje me SHBA, në antagonizëm, pse jo dhe në izolim.

Një barrë e pamerituar, e pamundur për tu mbajtur nga PD. Një pamundësi për PD që të shkojë fituese në zgjedhje, të fitojë zgjedhjet dhe të qeverisë vendin. Sali Berisha duhet të bëjë një sakrificë madhore në jetën e tij politike që mos t'ja vendosë këtë barrë partisë së tij, se është e pamundur ta zgjidhë partia e tij këtë barrë.

Sigurisht është një sakrificë ekstreme, mbase dhe e padrejtë, por duhet ta bënte për fatin e PD që mos të ndaheshim dhe të degradonim në këtë formë dhe të ishim sfidues para këtij regjimi.

E nëse PD nuk gjen konsensusin në bazë për zgjedhjet, Çollaku thotë se do të duhet t'ja lërë në dorë kandidatët bazës.

Çollaku: Mundësi ka, hapësira ka, duhen eksploruar, duhet vullnet, duhen tejkaluar egoizmat, fjaloret e çmendura dhe të papërgjegjshme. Nëse nuk është vullneti do zhytemi të gjithë nëpër beteja personale, egoizma, protagoniza bosh, servizilma. Duke bërë këtë lojë në qendër po ndëshkojmë me humbje dhe një mandat tejet të gjatë opozitar demokratët e bazës. Kam parë disa formula në nivele lokale, në Mirditë.

Në rast se demokratët e bazës fillojnë procese të tilla mbase nuk duhet ngatërruar fare qendra, ti zgjidhin ata. Kush ka siglën e PD të regjistrojë kandidatët që zgjedhin ata. Të mos ngatërrohet Tirana fare. Ka lojëra politike për ta sabotuar këtë proces. Kolegët e mi që shkojnë nëpër rrethe, e shohin se është struktura copë dhe… E kam për të gjithë.

Me keqardhje, Çollaku thekson se nëse demokratët vazhdojnë të ndarë, Edi Rama do vazhdojë të ketë një pushtet të pakufizuar.

Çollaku: Ky është një test pjekurie i PD. Kështu nuk shkohet. Nëse dështojmë, do dështojmë të gjithë.