Mjerimi në kohët moderne/ Familja Fejzo kërkon ndihmë, kalojnë muajin me 20 mijë lekë

Familja Fejzo në zonën e ish-Kinostudios jeton në kushte të vështira ekonomike. Brenda një shtëpie ku gjithçka thuajse bazike mungon, ndërsa muret lundrojnë mes lagështirës.

Migena, vajza e shtëpisë, me fjalët e saj të risjell në kujtesë poemën e Mjerimit, të Migjenit. Ajo thotë se prej vitesh jeton me fëmijët e saj dhe babain e sëmurë.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

32 vjeçarja tregon se pas vdekjes së nënës, u detyrua të jetojë me të atin për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

"Është me diabet, me tension, me zemër. Kam frikë ta lë vetëm, është shumë e vështirë," tha ajo.

Ajo thotë se 7 anëtarët e familjes jetojnë me 20 mijë lekë, këto paratë e pensionit të babait.

"Jo nuk mundem ti plotësoj të gjitha kërkesat sepse nuk mundemi dot ti bëjmë të gjitha me 20 mijë lekë," tha Migena.

Thotë se shpesh fëmijët kanë fjetur me barkun bosh.

"Shumë herë kanë kërkuar bukë në darkë, por u kam thënë do të hamë nesër. Kanë fjetur pa buke dhe unë gjithë natën qaja," tha ajo.

Shabani 70 vjeç teksa flet për skamjen, mes lotëve tregon se vetë është i pamundur për ta kapërcyer këtë krizë që e ka mbërthyer.

"Siç e shihni. Nuk kam një dush të lahem si të gjithë. S'ja dal dot ," tha ai.

Të pamundur për ti bërë ballë situatës kjo familje kërkon ndihmë për t'iu gjendur pranë me sado pak që kanë mundësi.