Po shkonin tek parcela me kanabis, arrestohen me mjetet e punës në makinë tre persona në Lezhë

Tre persona janë arrestuar në fshatin Velë, të Lezhës, pasi u kapën në flagrancë duke shkuar në zonën ku kishin kultivuar kanabis.

Gjatë periudhës hetimore, policia ka evidentuar dhe asgjësuar rreth 150 bimë të dyshuara narkotike të kultivuara, si dhe ka sekuestruar rreth 200 bimë kanabis në proces tharjeje. 

Gjatë kontrollit në automjetin e tyre u gjetën mjete për përpunimin e bimëve narkotike.

Me finalizimin e operacionit “Vela”, u arrestuan:

- Gj. M., 56 vjeç, banues në Velë, i shpallur në kërkim për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike" (me precedent të mëparshëm kriminal);

- A. Ll., 37 vjeç dhe A. D., 43 vjeç, të dy banues në Tresh.

"Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë disa muajve, kanë kultivuar në zona të pyllëzuara të fshatit Velë, Lezhë, rreth 150 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar me anë të djegies, nga shërbimet e Policisë, gjatë periudhës hetimore.  

Gjithashtu, po gjatë kësaj periudhe hetimore, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 200 bimë narkotike në proces tharjeje, që këta shtetas i kishin vendosur në një banesë të braktisur në këtë zonë, të cilën dyshohet se e përdornin për këtë veprimtari kriminale," njoftoi policia.

Vijon puna hetimore për identifikimin e rasteve të tjera dhe dokumentimin e plotë të implikimit të këtyre shtetasve në këtë veprimtari kriminale.